Golemi: Atdhetarët gjirokastritë sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në 109-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në qytetin e Gjirokastrës janë organizuar një sërë aktivitetesh, në kuadër të “Javës së Flamurit”.

Ditën e sotme u zhvilluan homazhe në Memorialin e Rilindasve në nderim edhe të kontributit të patriotëve dhe atdhetarëve gjirokastritë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Organizimet e “Javës së Flamurit” kulmuan me aktivitetin artistik “Të falem moj Arbëri” organizuar në kinemanë e qytetit.

“Gjirokastra në tërësi është ndër kontribueset e rëndësishme në ngjarjet historike dhe përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Me mesazhin “Me pushkë dhe penë për mëmëdhenë”  shumë patriotë dhe atdhetarë sakrifikuan gjithçka, madje edhe jetën për mëvetësinë dhe zhvillimin shoqëror të Shqipërisë.

Aktivitetet që promovojnë vlerat e historisë dhe traditës sonë kombëtare, do të jenë një prioritet i Bashkisë Gjirokastër, me synim nderimin e ngjarjeve dhe personaliteteve historike dhe transmetimin e vlerave të tyre tek brezat e rinj “, u shpreh në këtë aktivitet kryetari i bashkisë Flamur Golemi.

Prefekti Odise Kote u shpreh se “28 nëntori 1912 është datë e rëndësishme për Shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin dhe organizimin e shtetit të ri shqiptar. Në këtë 109-vjetor të Pavarësisë, në përmbushje të amanetit të rilindasve Shqipëria është një shtet demokratik ndërsa aderon për tu bërë pjesë e familjes së madhe evropiane”.

“28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe Shpallja e Pavarësisë është një ndër ngjarjet e veçanta në historinë shumëshekullore të popullit shqiptar. Këshilli i Qarkut Gjirokastër do të vazhdojë përkujtimin dhe nderimin e personaliteteve që kanë kontribuar në lëvizjen atdhetare dhe patriotike dhe për transmetimin e këtyre vlerave tek të rinjtë”, u shpreh në aktivitetin e zhvilluar kryetarja e Këshillit të Qarkut, Lindita Rova.

Përgjatë kësaj jave në Gjirokastër janë zhvilluar aktivitete të larmishme për festat e 28-29 nëntorit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.