Balluku: Aeroporti i Vlorës do hapë 1 mijë vende pune, operacional brenda 2025-ës

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës se ky projekt i rëndësishëm, do të sjellë zhvillim ekonomik jo vetëm për banorët e jugut, por për gjithë Shqipërinë.

Në fjalën e saj, Balluku tha se “kur u emërova në pozicionin e ministres, pasi kisha filluar edhe më parë të punoja për këtë projekt nga kryeministri ishte që aeroporti i i Vlorës duheshe të realizohej sa më parë”.

“ Nisëm punën me shumë dëshirë optimizëm dhe me përkushtim e dedikim të veçantë për këtë projekt. Fatkeqësisht u përballëm me disa ngjarje të paparashikuara siç ishte tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia që sot e kësaj dite zgjat me efektet e saj. Por e vetmja gjë që këto fatkeqësi arritën ishte të ngadalësonin ritmin dhe asgjë më tepër. Fakti që në pranverën e 2021 ne ia dolëm që të përfundim një proces të gjitha i cili sa skrupuloz ishte edhe aq i vështirë për t’u realizuar dhe me të vërtetë gara u përmbyll në mënyrën më të mirë”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, kjo garë e një projekti kaq të rëndësishëm kombëtar e aeroportit  të shqiptarëve, të kryeqytetit të pavarësisë,do u japi mundësi shqiptarëve që të fluturojnë nga Shqipëria edhe në kontinentet e tjera, jo vetëm në Europë, pasi kushte teknike të këtij aeroporti ofrojnë fluturimet transoqeanike.

Balluku theksoi se ky projekt i ka të tërë elementet e kombëtarisë shqiptare.

“Ky është kantieri që kemi ëndërruar prej shumë vitesh dhe sot ia dhurojmë Vlorës. Kemi të gjithë hapat pasi këtu ndodhemi në një zonë të rëndësishme. Ky është një aeroport militar i ngritur në fillim të viteve 1990 i cili  ka qenë i tillë dhe i mbrojtur nga ushtria shqiptare. Megjithatë trajtohet nga një zonë e mbrojtur dhe për këtë arsye na është e dashur të plotësojmë të gjitha kushtet e projektit”, nënvizoi ministrja.

Më tej, ministrja u ndal edhe në disa elemente të rëndësishëm të këtij aeroporti.

“Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti ndërkombëtar më i madh në vendin tonë me një piste të kategorisë 4E dhe me një gjatësi 3200 metra. Ky aeroport parashikon që të hapë rreth 1000 vende pune dhe synimi jonë sipas kontratës është të dorëzohet në prill të vitit 2024 dhe sigurisht të bëhet operacional brenda 2025”, theksoi Balluku.

Ministrja dha lajmin se aeroporti i Mynihut ka marrë angazhimin për të operuar këtë aeroport menjëherë pas dorëzimit të përfundimit të punimeve.

“Dua që të përcjell lajmin që koncesionari do të ketë një nga partnerët më të rëndësishëm në aviacionin evropian dhe botëror që është aeroporti i Mynihut që kanë marrë angazhimin për të operuar këtë aeroport menjëherë pas dorëzimit të përfundimit të punimeve. Ky projekt pret që vitin e parë të operimit të ketë rreth 500 mijë pasagjerë për të vazhduar më pas sipas një plani të mirëfilltë në 2.1 milionë pasagjeri deri në arritjen e 10 milionë pasagjerëve në vit”, deklaroi Balluku.

Ministrja shtoi se “Vlora është e dizenjuar si porta hyrëse për turizmin shqiptar të rivierës së jugut dhe jam shumë e sigurt që ato detaje të planit do të kalohen dhe shifrat që flasim sot do të jenë disa herë më të larta edhe për shkak të interesit të të gjithë vizitorëve të huaj që kanë për vendin tonë, por për shkak të investimeve të shumta që janë parashikuar tashmë në rivierën e jugut”.

Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është dizenjuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit.

Ndryshe nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ai do të ofrojë mundësi dhe për fluturime të avionëve të mallrave si dhe do të ketë hangarë të posaçëm për mirëmbajtjen e avionëve, një tjetër sektor i rëndësishëm i industrisë së aviacionit.

Sipas të dhënave të projektit fillestar, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16 000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46 690 m2 nga të cilat 32 000 m2 do të jenë për pozicionet e avionëve (12 vendqëndrime). 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrëfikës.

Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të ndërtohet nga një konsorcium kompanish, ku 50 përqind e aksioneve zotërohet nga Mabetex e sipërmarrësit Behgjet Pacolli,

Mabetex është në partneritet me një tjetër kompani turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte ne Turqi, një në Kazakistan dhe një tjetër në Ukrainë. Yda Group ka 48 përqind të aksioneve në konsorciumin që fitoi të drejtën për aeroportin e Vlorës, ndërsa 2 përqind i përkasin shoqërisë nga Kosova 2A Group Shpk. Vlera e parashikuar e investimit është gati 104 milionë euro.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.