Rama vendos lule në varrin e Papës shqiptar, Klementi XI

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillon sot një vizitë në Vatikan, vendosi lule në varrin e Papës shqiptar, Klementi XI, i quajtur edhe Papa Albani.

Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tyre, Zaho.

Rama po zhvillon sot një vizitë në Vatikan, në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë.

Më herët sot, kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e dhënies së kordonit të madh me yllin “BENEMERENTI” eminencës së tij, Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Shenjtërisë së tij.

Në vijim ai u prit në Pallatin Apostolik të Vatikanit, nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.