COVID-19 – Oxford/AstraZeneca: E mundur të zhvillohet shumë shpejt vaksina kundër Omicron

LONDËR, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Shkencëtari britanik, i cili udhëhoqi kërkimin për vaksinën kundër COVID-19 të Oxford/AstraZeneca, Prof. Andrew Pollard tha sot se mund të zhvillohet shumë shpejt një vaksinë e re kundër variantit Omicron.

“Është jashtëzakonisht e pamundur që ky variant i ri të përhapet fuqishëm brenda popullsisë së vaksinuar, siç pamë vitin e kaluar me variantin Delta”, tha Pollard, drejtor i Grupit të Vaksinave në Oksford.

“Por, nëse do të ishte kështu, do të jetë e mundur të veprohet shumë shpejt, sepse proceset e zhvillimit të një vaksine të re po bëhen gjithnjë e më të mira”, shtoi ai për BBC.

Megjithatë, ai beson se vaksinat aktuale duhet të funksionojnë kundër llojit të ri, që konsiderohet “shqetësues” nga OBSH-ja.

Në një deklaratë, AstraZeneca tha se ka “zhvilluar, në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Oksfordit, një platformë vaksinash që na lejon t’u përgjigjemi shpejt varianteve të reja që mund të shfaqen”.

Kompania farmaceutike britanike njoftoi se “tashmë po kryente kërkime në vendet ku varianti është identifikuar”.

Prodhuesit e vaksinave Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Novavax kanë shprehur gjithashtu besim në aftësinë e tyre për të luftuar variantin Omicron.

Asnjë rast i variantit Omicron është zbuluar ende në BM, një nga vendet me më shumë humbje jete në Evropë, 144 500 të vdekur, megjithatë, qeveria njoftoi të enjten kufizime të rënda për pasagjerët nga gjashtë vende afrikane, përfshirë Afrikën e Jugut, ku varianti u zbulua për herë të parë.

Në Evropë, një rast i lidhur me variantin Omicron është zbuluar deri më tani në Belgjikë dhe një tjetër në Gjermani.

Rreth 60 persona, të cilët rezultuan pozitivë në kthimin e tyre nga Afrika e Jugut, kanë shqetësuar Holandën, por ende nuk është konfirmuar nëse ata janë bartës të variantit të ri.

Ky i fundit është identifikuar edhe në Izrael./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.