Shqipëri-Kosovë, nënshkruhen tre akte në fushën e Doganave

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, Administratat Doganore respektive nënshkruan tre akte të rëndësishme.

Konkretisht u nënshkrua manuali i përbashkët për Procedurat Standarde të Operimit (PSO) për pikën e kalimit kufitar Morinë-Vermicë.

Po ashtu, administratat doganore nënshkruan urdhrin e përbashkët “Për funksionimin e profileve të riskut në zbatimin e procedurave të transitit të mallrave përmes territorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas”.

Një tjetër akt i nënshkruar mes dy palëve ishte manuali “Për procedurat e tranzitit në zyrën e doganës së Kosovës pranë Portit Detar të Durrësit”, i cili do të hyjë në fuqi në një moment të dytë sipas njoftimit të ndërsjelltë.

Miratimi i këtyre akteve sjell standardizim dhe njehsim të procedurave doganore, si dhe lehtësim të lëvizjes së mallrave në të dy vendet.

Po ashtu, ulet koha e përpunimit të mallrave përmes analizave të përbashkëta të profileve të riskut, si dhe ulen kostot për bizneset e dy vendeve përmes aplikimeve të procedurave të thjeshtëzuara.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.