Ismail Kadare, “Kalorësi i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut mes Kulturave”

TIRANË 26 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti në sesionin e 33-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë për Evropën, i cili u zhvillua sot, në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Sesioni u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Rajonale e Frankofonisë për Evropën.

Në sesion mori pjesë dhe përshëndeti edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino.

Nikolla nënvizoi se “Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është një ndër organizatat më prestigjioze në botën e sotme, me një shtrirje horizontale në të gjitha kontinentet.

“Në kohën që po jetojmë, kufijtë hantingtonianë midis shtatë-tetë qytetërimeve: kinez, japonez, hindu, islamik, ortodoks, perëndimor, amerikan dhe ndoshta afrikan, herë tentojnë të bëhen më të pakalueshëm dhe herë të treten ose të bëhen më konvencionalë. Kjo ndodh për shkak të tendencës së secilit prej qytetërimeve për të zgjeruar ndikimin e vet, përballë presionit nga qytetërimet e tjera. Frankofonia, duke qenë një ndër komunitetet kulturore që jep e merr me çdo qytetërim të sotëm, është një amortizator i fuqishëm i zbutjes së përplasjeve mes tyre. Dimensioni parlamentar i Frankofonisë, Asambleja Parlamentare, i jep kësaj organizate një vlerë të shtuar, duke u bashkangjitur përpjekjeve për dialog midis kulturave e qytetërimeve edhe një kontribut të ligjvënësve nga të pesë kontinentet, për garantimin e paqes e të harmonisë midis kombeve. Prandaj prania e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë është një mundësi për të rritur kontributin për kulturën, sigurinë dhe paqen. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë bëri më të mirën për të organizuar këtë sesion të Asamblesë rajonale të Frankofonisë”, tha ajo

Gjatë ceremonisë së hapjes së sesionit, u dorëzua titulli “Kalorësi i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut mes Kulturave”, akorduar nga Organizata e Frankofonisë shkrimtarit tonë të njohur botërisht, Ismail Kadare. Titulli iu dorëzua shkrimtares Helena Kadare, bashkëshortes së shkrimtarit Ismail Kadare.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.