Hekurudha Durrës- Prishtinë, rol të rëndësishëm për bashkimin ekonomik të dy vendeve

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, si arterie e rëndësishme me ndikim strategjik në zhvillimin ekonomik dhe të turizmit.

Në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që u mbajt sot në Elbasan, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe ministri për Mjedisin dhe Planifikimit Hapësinor i Republikës së Kosovës, Liburn Aliu dhanë detaje të këtij bashkëpunimi.

Duke marrë fjalën ministrja Balluku tha se, “nënshkrimi këtij memorandumi është një nga hapat më konkret që hedhim sot në mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë, duke qenë se të dy qeveritë janë angazhuar financiarisht në buxhetet e tyre 2022, për të alokuar fonde për sa i përket studimit të fizibilitetit në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë”.

“Ne synojmë që të bëhemi pjesë e korridoreve brenda Ballkanit, por edhe pjesë e korridoreve që na lidhin me Evropën dhe sigurisht hekurudhat janë mënyra e transporti më eficiente dhe më miqësore ndaj ambientit. Por rëndësi prioritare është rritja e volumit dhe shkëmbimit të mallrave dhe tregtisë, që do të ketë midis dy vendeve”, u shpreh ministrja.

Balluku vuri në dukje se, “porti që do të ndërtohet në Porto Romano, është një projekt nga më moderne në zonën e Mesdheut që do të ketë një ndikim shumë të madh në zhvillimin e tretisë. Sipas saj, vetëm në 10 muaj e vitit 2021, Kosova është vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporti të mallrave, me 48.2 % krahasuar me 2020″.

Porti i Durrësit, gjithashtu vijoi ajo, do të shndërrohet në një nga marinat më të mëdha në Mesdhe, një marinë elitare dhe një pol i turizmit edhe për Kosovën. Ndaj hekurudha Durrës-Prishtinë, merr rëndësi pasi do të lidhë portin e jahteve me Prishtinën duke i dhënë akses të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Balluku u shpreh besimplotë në finalizimin e këtij projekti dhe angazhimin në përmbylljen e prokurimit për specifikimet teknike për të vazhduar me projektin e detajuar dhe me fazën e tretë më pas atë të ndërtimit.

Ministri Aliu tha se,”linja hekurudhore Durrës-Prishtinë përpos plotësimit të një ëndrre në kuptimin historik të shqiptarëve, kjo vepër do të luajë një rol të rëndësishëm drejt bashkimit dhe zhvillimit ekonomik të dy vendeve, pasi do të lidhë Portin e Durrësit, i cili synon të zhvillohet në një port të transportit të mallrave, me Prishtinën, e përmes kësaj linje ky port do të ketë komunikim e drejtpërdrejtë në Korridorin 10, përmes linjave që lidhin Prishtinën, që lidhin Sofjen, me Stambollin drejt Azisë dhe në Veri me Beogradin e me radhë”.

“Porti i Durrësit do të ketë mundësi të lidhet me Prishtinën dhe korridoret që do t’i rrisë vlerën këtij porti, por edhe zhvillimin në Prishtinë”, u shpreh Aliu, teksa nënvizoi se, “një rëndësi tjetër e veçantë është se edhe porti i Tivarit do të ketë mundësi më të mira të komunikimit me këto korridore evropiane përmes kësaj linje hekurudhore”.

Gjithashtu theksoi ministri ekzistojnë plane të vazhdimit të Korridorit Blu që lidh Adriatikun me Kroacinë dhe gjithë ky qarkullim i mallrave do të bëhet përmes Shqipërisë dhe Kosovës dhe më pas me vendet rreth e rrotull.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.