Xhaçka: “Ballkani i Hapur”, nismë e guximshme për ta kthyer rajonin në hapësirë bashkëpunimi

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se “nuk e kemi harruar Kosovën me ‘Ballkanin e Hapur’”.

Duke iu përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili ka kërkuar nga qeveria që të fokusohet në integrimin e vendit në BE dhe jo te “Ballkani i Hapur”, Xhaçka theksoi se “kush ka punuar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme e di shumë mirë se aty nuk merret asnjë vendim, nuk bëhet asnjë hap, nuk hartohet asnjë plan pa diskutuar më parë impaktin që ka te Kosova”.

“Kosova është çështja dhe interesi ynë kombëtar, ka qenë dhe do të mbetet i tillë për PS-në dhe askush s’mund ta vërë këtë në diskutim”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “në Shqipëri ka pasur një traditë shumë të mirë dhe të konsoliduar ndër vite që ka qenë politika e mospërdorimit të politikës sonë të jashtme për fitime të politikës së brendshme. Kemi pasur mosmarrëveshje dhe ide të ndryshme se si avancohej në procesin e integrimit euroatlantik, por s’kemi pasur kurrë mosmarrëveshje që ky ishte një proces që duhej avancuar duke pasur mosmarrëveshje ide apo mendime të ndryshme se si mund të konsolidohet apo fuqizohet roli i Shqipërisë në rajon, por kemi qenë gjithmonë në një mendje që Shqipëria duhet të ketë një rol stabilizues, konstruktiv dhe bashkëpunues në rajon. Tek kjo mbështetje e përbashkët, por edhe tek koherenca që kemi pasur në politikën e jashtme ia kemi dalë që ta kthejmë diplomacinë shqiptare në një histori suksesi”.

Ne, vijoi Xhaçka, kemi ecur shumë, na pret përpara një vit i jashtëzakonshëm në aspektin diplomatik, pikërisht sepse kemi pasur koherencë.

“Kur vjen puna te prioritetet e politikës së jashtme Shqipëria është e besueshme dhe e parashikueshme. Me këtë nuk dua të them që duhet të ketë ide të ndryshme apo kritika për “Ballkanin e Hapur”, apo për çfarëdo iniciative tjetër të qeverisë. Ajo që besoj se është e papranueshme dhe e pakuptueshme janë akuzat për histori me komplote. Janë akuza të pavërteta të panevojshme. Kjo nuk është një nismë e PS-së ose një proces që u nis thjesht nga ne, por është një proces i konsolidimit të linjave të politikës së jashtme shqiptare ku në vite ka dhënë kontributin e saj edhe PD-ja, madje edhe vetë kryetari i PD-së kur ishte Ministër i Jashtëm”, tha Xhaçka.

“’Ballkani i Hapur’ është një nismë e guximshme për ta kthyer rajonin në një hapësirë bashkëpunimi. Unë mendoj se këtu qëndron çelësi i transformimit të rajonit, kush do ulej në atë tryezë. Kur u ngjiz BE u ul Franca dhe Gjermania, dy armiq të përbetuar historik”, tha ministrja.

Ministrja Xhaçka foli edhe për marrëveshja e financimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, që pritet të ratifikohet sot në Kuvend.

Duke e konsideruar një lajm i mirë si për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, Xhaçka tha se “marrëveshja është pjesë e programit ndërkufitar IPA Shqipëri-Maqedoni e Veriut, e cila ka si objektiv parësor mbështetjen e zhvillimit social dhe ekonomik të zonave ndërkufitare mes dy vendeve”.

“Konkretisht mbulon qarqet Dibër, Elbasan dhe Korçë, duke sjellë për to dhe për bashkitë e tyre një injektim të rëndësishëm fondesh e projektesh që stimulojnë rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona dhe ndërhyrjet e përbashkëta në fushën e mjedisit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e bizneseve të reja. Bëhet fjalë për një injeksion domethënës pasi në total projekt propozimet që do të miratohen nga kjo marrëveshje financiare kapin vlerën e 1 milion e 530 mijë euro në formën e grantit të lëvruar nga BE nëpërmjet instrumentit IPA 2, ndërkohë që nëse kësaj shume i shtohet edhe bashkëfinancimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut vlera totale shkon në 1.8 milionë euro”, nënvizoi Xhaçka.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.