Rama me fermerët: Ramë dakord që ndryshimi i qasjes së financimit nga qeveria është i duhuri

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët e Lushnjës, të cilët protestuan përpara Kuvendit kundër paketës së re fiskale, që pritet të miratohet këtë të enjte.

Kreu i qeverisë theksoi se, “ramë dakord që ndryshimi i qasjes së financimit nga qeveria është i duhuri. Por, kemi dallime për mënyrën e re të adresimit dhe për këtë do të takohemi së shpejti me mendje të hapur për të dëgjuar njëri-tjetrin”.

Përgjithësisht, vijon Rama, duhet ta dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe ky i sotmi është një shembull pozitiv për të gjithë ata që duan t’i zgjidhin problemet, e jo të bëjnë politikë të ulët me problemet.

Kryeministri tha se, “debati në Kuvend me një grup fermerësh nga protesta dhe drejtuesin e tyre, kandidat për deputet i PD-së, ishte shumë më konstruktiv e i dobishëm sesa debatet në sallën e parlamentit, ku debatet sundohen nga akuzat, shpifjet e sharjet me natyrë personale”.

Gjatë takimit Rama tha se “të dy palët paskemi të njëjtin hall, ai 6 % nuk shkon te fermerët. Tani, çfarë ka ndodhur? Ne e kemi bërë deri tani dhe do e ndryshojmë, sepse e para, bujqit s’kishin pika grumbullimi. Ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën, kanë marrë mbështetje nga kjo qeveri në vite për ato investime që kanë bërë atje, që të bëjnë pikat e grumbullimit me një financim të përbashkët dhe ndërkohë rolin e agjentit të qeverisë për të çuar diferencën te ju, nuk e kanë luajtur”.

Kryeministri, i cili shpjegoi se ndryshimi i qasjes së financimit nga qeveria është i duhuri, gjë e cila do të konkretizohet shumë shpejt, në dobi të fermerëve.

“Unë kam një argument shumë të thjeshtë. Po të ishte se gjendja do ishte uniforme për të gjithë, do thoja që ke të drejtë. Por nuk është uniforme. Sot, ka shifra eksportesh që vetëm rriten. Nga janari, në tetor janë më shumë, sesa janar-tetor 2019-2020. Këtu është çështje organizimi dhe çuarje e parasë në drejtimin e duhur, jo në drejtimet që paraja ka devijuar. Çfarë ka ndodhur? Janë 9 milionë dollarë në një sektor që ka 3,5 miliardë. Për çfarë po protestohet këtu? Për këtë 9 milionë dollarëshin? 9 milionë dollarëshi nuk do të jepet më në atë formë, por nuk do të ikë nga bujqësia. Madje është dyfishi sot, është i dyfishuar, për të shkuar drejtpërdrejt te fermeri. Po si do shkojë te fermeri? Nuk shkon dot tek e tek. Do të shkojë te modelet që i ndihmojnë këta që të mos dalin nën kosto e mos bëjnë nga këto aventurat individuale me instinkt, por të krijojnë bashkime. Kjo është arsyeja pse ne po ndryshojmë qasje, sepse në fund të ditës qëllimi është ta formalizojmë sektorin dhe të dimë kush bën çfarë”, tha Kryeministri.

Kreu i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka tha se “fermerët ndodhen në vështirësi të mëdha dhe 30 % prej tyre nuk kanë porositur farat për të mbjellë, për arsye se kanë dështuar për tre vite”.

Fermerët i thanë Kryeministrit Rama se prej 3 vitesh i kanë kërkuar qeverisë shqiptare ndryshimin e formës së subvencionimit dhe heqjen e 6 %. “Në buxhetin e shtetit ky 6 % është vlerësuar 9 milionë dollarë, por nuk është kaq, por pesëfish më shumë”, thanë fermerët.

Në përfundim të diskutimeve, Kryeministri i ftoi fermerët në një takim të dytë, për të shpalosur idetë e tyre se çfarë mund të bëhet më mirë në vijim. “Unë po të jap fjalën këtu që javën tjetër ne ulemi. Kjo ishte e rastësishme. Nëse ju na jepni ide që shkojnë, se me sa kuptoj unë dhe synimi është i njëjtë. Edhe ju nuk po kërkoni të hedhim lekët në ajër. Atëherë hajde të ulemi, nëse ju na jepni ne një ndihmë, me një ide më të mirë se ajo ide që kemi, ne bëjmë idenë tuaj, se nuk kemi asnjë shqetësim për këtë punë. Unë do jem komplet në dispozicion për ta bërë më të mirën me mundësitë që kemi. Rëndësi ka që për këtë bisedë u morëm vesh që kjo, siç ishte, nuk qëndron. Tani urdhëro, të ulemi e të shohim. Te zyra ime do takohemi. Hajdeni me shifra. Përgatituni mirë”, – u shpreh Kryeministri.

Në takimin me fermerët ishin edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.