Rama: Brenda vitit 2030, Shqipëria vend sovran në energji

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se brenda vitit 2030 Shqipëria do të jetë vend sovran në energji.

I pyetur në një emision televiziv, për situatën në sektorin e energjisë, Rama tha se, “ne kemi bërë përpjekje prej disa vitesh dhe jemi penguar në mënyrë shumë brutale nga i ashtuquajturi Sekretariat i Energjisë në Bruksel për të bërë një model tjetër të gjithë sistemit dhe praktikisht për t’i vendosur në një ombrellë gjeneruesin edhe shpërndarësin. Sepse faktikisht sot që flasim janë dy entitete që nuk kanë një sinergji me njëri-tjetrin, gjë që rezulton pastaj financiarisht në kosto për shtetin, për vendin”.

“Ajo që ne po bëjmë tani është rimodelimi dhe le të thotë çfarë të dojë Sekretariati i i Energjisë në Bruksel se nuk mund të vazhdojmë më me këtë model ku OSHEE dhe KESH vazhdojnë të funksionojnë si dy entitete që janë komplet të ndara nga njëra-tjetra. Ato janë të ndara, por duhen të jenë në sinergji me njëra-tjetrën, që ne ta rentabilizojmë maksimalisht atë që prodhojmë. Praktikisht po krijojmë një model tjetër të sistemit dhe shumë shpejt do jetë në fuqi”, tha Rama.

“Ne kemi problemin që ne jemi të varur nga burimet ujore. Dhe ne kemi problemin që duke na munguar ajo që na ka munguar 40 vjet a 50 vjet dhe që tani e kemi vënë në vijë për ta plotësuar si mungesë që është, Skavica. Pra duke mos pasur rezervën ne jemi të detyruar që kur kemi energji, kur kemi më shumë ujë sesa ç’duhet ne duhet ta shesim lirë. Sepse ne ujin më shumë sesa ç’duhet kur e kemi? E kemi kur të gjithë kanë mot të lagësht dhe kur çmimi i energjisë është më i ulët dhe jemi të detyruar ta shesim më lirë. Kur kemi nevojë ne dhe s’kemi ujë, e blejmë shtrenjtë. Ndërkohë që Skavica do bëjë që ne kur kemi ujë më shumë sesa duhet do ta mbajmë rezervë. Skavica është zgjidhja. Dhe kriza jonë vjen nga fakti që ne kemi bazën prodhuese pothuajse 100% energji hidro dhe mbetemi pastaj mes dy ekstremesh. Ose duhet të hapim dhe portat ndonjëherë që përmbyt dynjanë kur atë ujë mund ta kishim rezervë, ose duhet të blejmë kur nuk bie shi”, tha Rama.

“Ne kemi 2 parqe fotovoltaike të reja që do të ndërtojmë. Projektet kanë nisur dhe kanë fazat e tyre. Janë lidhur kontratat dhe kanë nisur. Projektet e zbatimit të fotovoltaikeve kanë fazat e tyre në terren. Plus Skavica, e cila edhe ajo ka nisur. Projektet nuk fillojnë kur ju shikoni traktorin. Projektet nisin kur angazhohen forcat, kur bëhen studimet e fizibilitetit, kur mblidhen financimet. Ndërkohë për Skavicën përmblidhet i gjithë financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare. Janë bërë hulumtime në terren. Po studiohen skenarët e projektit. Se ka disa skenarë ai projekt. Jemi në proces edhe për një tjetër vepër të madhe hidrike. Dhe në momentin që ne bëjmë këto ne kalojmë në prodhues dhe eksportues neto të energjisë. Dhe në atë moment ne kemi sovranitet energjetik. Brenda vitit 2030 ne jemi vend sovran në energji”, theksoi Rama.

“Ne sot subvencionojmë çmimin e energjisë edhe pa krizën. E subvencionojmë çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe për biznesin e vogël. Po për gjithë biznesin e subvencionojmë se për asnjë nga ato nuk është çmimi real. Edhe kështu siç është pa krizën çmimi është i subvencionuar plus ne japim dhe një subvencion direkt që është 45 milionë dollarë tek buxheti për të gjitha familjet në nevojë dhe për disa kategori të tjera që gjithsej janë 202 mijë, që ne me këto para në buxhet paguajmë diferencën tek çmimi. Pra për ata çmimi është 7.7 lekë. Ndërkohë që për gjithë familjarët e tjerë është 9.5. Hoqëm fashën dhe këta vazhdojmë sot i mbështesim 45 milionë dollarë, që mos ta ndjejnë tek fatura. Tani me këtë krizë, Italia në faturën e energjisë elektrike ia ka rritur çmimin familjarëve. Gjermania ia ka rritur çmimin familjarëve në faturë. Greqia ia ka rritur çmimin familjarëve në faturë”, theksoi Rama.

“Ne kemi thënë që ne do bëjmë çdo gjë që t’u vëmë mburojë këtu dhe familjarëve mos t’u vijë fatura me çmimin e ri të energjisë dhe biznesit të vogël mos t’u vijë fatura me çmimin e ri. Sfida është tek biznesi i madh. Edhe aty modeli i ri që po ndërtojmë synon që të mitigojë edhe në atë drejtim”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.