Rama: 3 mijë të punësuar më shumë se para pandemisë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “ne kemi sot 3 mijë të punësuar më shumë se para pandemisë”.

I ftuar në një studio televizive, Kryeministri foli për disa nga arritjet e 100-ditëshit të parë të qeverisjes, ku veçoi uljen e taksave mbi pagat.

“Unë betejën nuk e kam pasur me ata përballë. Sfida ime nuk është si të mundim ata. Ata duhen mundur për të vazhduar të bëjmë punën. Unë nuk jetoj për të mundur ata, por për të bërë gjërat që duhen bërë dhe i bëjnë mirë këtij vendi. Ne po dalim nga situata e tërmetit duke dhënë mijëra shtëpi falas, ndërkohë që përballë është Italia me njerëz akoma në rulota. Ne po dalim nga pandemia dhe sot kemi 3 mijë të punësuar më shumë se para pandemisë dhe kjo duke mos qenë një vend i pasur dhe as i superzhvilluar. Ne kemi një buxhet ku do të bëjmë një ulje tjetër taksash mbi pagat”, tha Rama.

Rama u pyet po ashtu edhe mbi protestën e fermerëve ku deklaroi se “bujqësia në Shqipëri është tërësisht e pataksuar”.

“Falë fondeve të buxhetit të shtetit dhe atyre të BE-së ne e kemi zgjeruar buxhetin e bujqësisë disafish. Të mos harrojmë se ne e kemi bujqësinë të pataksuar, jemi vend unik që e kemi të pataksuar fare, as takë uji, as taksë mbi tokën”, tha Rama.

Kryeministri tha se “sot në Shqipëri punohet dyfishi i sipërfaqes që punohej në 2013, kur punoheshin 120 mijë ha”. Ndërsa sot, tha Rama punohet 235 mijë ha e tokës së punueshme.

I pyetur mbi çmimin e naftës, Rama tha se “nafta ka qenë më e shtrenjtë në 2013 se sa në këtë periudhë”.

“Rritja e çmimit të naftës është globale, nuk po ndodh në Shqipëri. Brenda çmimit të naftës ne kemi edhe taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, pasi kjo është bindja dhe parimi ynë, se kush ndot më shumë, duhet të paguajë më shumë”, tha Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.