Ndotja në luginën e Shkumbinit, nis aksioni i pastrimit

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Mbrojtja e mjedisit, pastrimi dhe marrja e masave për të parandaluar dhe ulur ndotjen e ujit, ajrit, tokës dhe ndotjet e tjera është në fokusin kryesor të shërbimeve të policisë së Elbasanit.

Për këtë, Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti, ka filluar prej disa ditësh një aksion pastrimi.

Policia e Elbasanit reagoi po ashtu edhe në lidhje me lajmin që është publikuar në medie dhe rrjete sociale, për grumbullimet masive të mëdha me inerte në luginën e lumit Shkumbin.

“Në zbatim të planit të masave, për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të territorit nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, janë evidentuar raste të ndotjes së mjedisit nga inertet dhe mbeturinat e hedhura më parë, raste të cilat u janë bërë prezent bashkive përkatëse, me qëllim marrjen e masave për heqjen e tyre. Pas referimit të rastit nga Komisariati i Policisë Peqin, për ndotjen në luginën e lumit Shkumbin, prej disa ditësh bashkia e Peqinit vijon punën për pastrimin e mbeturinave të hedhura e grumbulluara prej vitesh në këtë luginë”, thuhet në njoftim. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.