Meta pritet nga Osmani: Domosdoshmëri përshpejtimi i dialogut Kosovë-Serbi

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta u prit sot në një takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ndanë urimet më të përzemërta për festën kombëtare të 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit.

Të dy presidentët zhvilluan një bisedë të hapur për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve strategjike dhe vëllazërore mes dy vendeve tona në të gjitha fushat, si dhe për konsolidimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër edhe të nismave rajonale gjithëpërfshirëse, në mënyrë të veçantë të Procesit të Berlinit.

U vlerësua me shumë rëndësi forcimi i bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë, si dhe për angazhimin e përbashkët në projekte infrastrukturore, me impakt të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike e sociale për të dy vendet tona.

Presidenti Meta dhe presidentja Osmani ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën jetike, që marrëveshjet ndërqeveritare që janë finalizuar e do të nënshkruhen, të konkretizohen në praktikë, për t’i shërbyer në mënyrë thelbësore forcimit të bashkëpunimit në çdo aspekt, si dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.

Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim finalizimin sa më parë të një marrëveshjeje përfundimtare për njohjen reciproke të dy vendeve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.