Manastirliu: Në buxhetin 2022 do rritet mbështetja për gratë e dhunuara

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke e konsideruar kambanë alarmi rritjen e numrit të denoncimeve për dhunën në familje tha sot në Kuvend se “kjo dhunë i ka marrë jetën 17 qytetarëve këtë vit, 12 prej të cilëve janë gra”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Ekleminimit të Dhunës Ndaj Grave, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ftuar të gjithë deputetët të bëhen pjesë e fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore.

“Duhet të forcojmë e zgjerojmë zinxhirin e solidaritetit e ta përcjellim atë në komunitetet tona, duke bashkuar zërat për të mbërritur tek çdo grua, për t’i thënë se nuk është vetëm në këtë betejë, se të jetosh një jetë pa dhunë është e mundur vetëm nëse e denoncon dhunën, nëse nuk e fal dhunuesin, nëse zgjedh të jesh e lirë. Le të bashkohemi të gjithë gratë e burrat në Kuvend në këtë fushatë të 16 Ditëve Kundër Dhunës me bazë gjinore, për të bërë të mundur që jo vetëm këto ditë, por në çdo ditë të vitit të luftohet me këto fenomene që cënojnë gratë dhe vajzat tona, që dëmtojnë në thelb zhvillimin social dhe ekonominë e vendit dhe padyshim dëmtojmë që gratë dhe vajzat të shpalosin potencialin që ato kanë”, nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, në këto 10 muaj, rreth 4 mijë denoncime janë referuar në policinë e shtetit për raportimin e dhunës në familje.

“2965 gra dhe vajza janë dëmtuar nga dhuna në familje në këto 10 muaj, ndër to, 1432 janë bashkëshorte. Rritja e denoncimeve është një kambanë alarmi por padyshim është tregues i besimit të shtuar tek institucione dhe kjo na vë akoma më shumë përpara përgjegjësisë për të rritur fuqinë reaguese, për të parandaluar çdo akt dhune, çdo ngjarje të dhimbshme që mund të sjellë ajo. Puna jonë nuk ka ndalur në forcimin e instrumenteve ligjore, përmes forcimit të mekanizmave të denoncimit të dhunës në çdo bashki, përmirësimi i legjislacionit që mbron gratë e dhunuara, apo tek mbështetja për shërbime në territor dhe deri fuqizimi dhe riintegrimi në shoqëri i vajzave dhe grave”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend.

Duke ftuar gratë të thyejnë heshtjen, Manastirliu tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po mbështet linjën kombëtare të këshillimit 116117, një linjë e dedikuar për këshillime për gratë viktima të dhunës si dhe shërbimet në territor për gratë viktima të dhunës.

“Po mbështesim dhe zgjerojmë zinxhirin e shërbimeve në të gjithë vendin për mbrojtjen e grave viktima të dhunës. Janë ngritur 20 qendra me shërbime emergjence për gratë viktima të dhunës. Me instrumentin e Fondit Social, po mbështesim pushtetin vendor për të ngritur kapacitetet në këtë drejtim. 1200 gra dhe fëmijë viktima të dhunës kanë marrë shërbime, nga qendrat e mbështetura nëpërmjet Fondit Social. Sikundër financojmë qendrën kombëtare për strehimin, sigurimin e shërbimeve dhe rehabilitimin e grave viktima të dhunës, qendrën kombëtare të viktimave të dhunës seksuale “Lilium”, të cilën do ta shtrijmë në një zinxhir të ofrimit të shërbimeve në territor duke filluar nga Shkodra dhe Fieri ku puna tashmë ka nisur”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se me buxhetin 2022 do të rritet mbështetja për gratë viktima të dhunës, duke trefishuar masën e mbështetjes për gratë që janë viktima të dhunës dhe gratë e trafikuara.

Sot është Dita Botërore e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave. Fushata ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore zhvillohet nga datat 25 nëntor – 10 dhjetor. Slogani mbarëkombëtar në këto ditë të fushatës është: “Bëje Botën Portokalli: Të ndalim dhunën ndaj grave, tani”.

Janë 250 aktivitete të cilat do të zhvillohen nga MSHMS së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, me të gjithë organizatat dhe institucionet për të rritur ndërgjegjësimin për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.