LSI propozon 7 amendamente për Paketën Fiskale

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka propozuar sot në Kuvend 7 amendamente për Paketën Fiskale.

Amendamentet e LSI-së kanë në fokus rritjen e buxheti për bujqësinë, pagat e mësuesve si dhe rritjen e mbështetjes financiare për rimbursimin e barnave për të infektuarit me COVID-19.

Amendamentet e propozuara janë:

Amendamenti për disa ndryshime në projektligjin për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin 92-2014 për tatimin e vlerës së shtuar.

Amendamenti për projektligjin për disa ndryshime dhe një shtesë në ligjin 92-2014 për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Amendamenti për projektligjin për një shtese dhe disa ndryshime ne ligjin 92-2014 për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Amendamenti për rritjen e buxhetit në programin e buxhetor të zhvillimit rural të Ministrisë së Bujqësisë.

Amendamenti për rritjen e pagave të mësuesve në tabelën Nr. 1 të Buxhetit në kodin 11-0920 dhe në kodin 11-09230.

Amendamenti për rritjen e shpenzimeve korrente në tabelen Nr. 1, Kodi 11-09450 dhe në Kodin 11-09770, me qëllim rritjen e granteve në mësimdhënie dhe në kërkime shkencore.

Amendamenti për rritjen e mbështetjes financiare për rimbursim të barnave për infektuarit COVID-19, (propozuar nga Petrit Vasili).

Në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, Kryemadhi foli për rritjen e buxhetit për bujqësinë.

Ajo theksoi se, propozimi i parë është të shtohet ndihma direkte për fermerë nga 3.2 miliardë, në 7.1 miliardë.

“Sot më shumë se kurrë fermerët janë në një situatë të vështirë dhe duke pasur parasysh që bujqësia është një nga sektorët më të vështirë, jo për shkak të angazhimit individual të fermerëve, por dhe për shkak të situatës, ku konkurrenca është sa e padrejtë në një anë por dhe aq e vështirë duke pasur parasysh subvencionet që kanë vendeve të rajonit në krahasim me Shqipërinë. Duke parë me vëmendje projektbuxhetin dhe tabelat të cilat janë paraqitur, zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral dhe agropërpunues, në tabelën numër 1 totali i shpenzimeve buxhetore është 7 miliardë, ku dhe vetë Kryeministri i ka bërë një publicitet të jashtëzakonshëm një investimit të tillë, që do të thotë përafërsisht ndihmë direkte rreth 64 milionë euro. Duke e parë dhe vëzhguar me detaje, sigurisht shikojmë që kjo shifër nuk është e vërtetë. Kjo shifër është 3.6 miliardë e cila e ul nga 64 milionë euro në 18 milionë euro. Një nga propozimet është të shtohet ndihma direkte për fermerë nga 3.2 në 7.1 miliardë”, theksoi Kryemadhi.

Po ashtu, Kryemadhi u ndal dhe te rritja e inputeve dhe ulja e TVSH-së.

“E para, vjen me rritjen 10 % për inputet. Për të qenë të sinqertë, kur ne u hoqëm TVSH para disa viteve, ndryshimi i çmimit të inputeve ka qenë zero, por t’ia kthesh sërish do të  thotë që t’ia rrisësh akoma çmimin me 20 % me atë çfarë ka qenë dy vite më parë. Ajo, që dua të theksoj është kjo rritje e drejtpërdrejtë e TVSH-së së menjëhershme, pa u konsultuar me fermerë dhe faktorë të tjerë, do të ketë impakt në rritjen e çmimit të prodhimit dhe e kostos së produkteve të fermerëve, por dhe në xhepat e shqiptarëve. Do ishte gjë e mirë për ta parë me një pozitivitet. Një nga pikat e tjera që do doja është e rëndësishme është shfuqizimi i pikës C. Shfuqizimi i pikës C, do të thotë që të gjithë fermerët që blejnë mekanika bujqësore do të duhet të paguajnë më shumë”, tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.