Llatja: Elbasani vendosi gurin e parë të themelit të Pavarësisë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Elbasani festoi sot 109-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së qytetit. Ceremonia e mbajtur me këtë rast kulmoi pranë bustit të Aqif pashë Elbasanit, ku kryetari Gledian Llatja përcolli edhe mesazhin e rastit.

Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, përfaqësues të pushtetit lokal, qytetarë etj.

Kryebashkiaku Gledian Llatja në fjalën e tij vlerësoi dhe nderoi kontributin e 35 patriotëve firmëtarë të aktit të parë të mëvetësisë që parapriu atë të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

“Kemi rastin të shprehim krenari që jemi qyteti i parë që vendosëm gurin e parë të themelit të pavarësisë së vendit tonë”, tha ndër të tjera Llatja.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri tha se “25 Nëntori është një ditë e shënuar, një ngjarje shumë e rëndësishme për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë. Një simbolikë që reflekton të gjithë atë kontribut që ka Elbasani në historinë e Shqipërisë. Patriotët e Elbasanit ishin ndër të parët që u organizuan dhe ngritën të parët flamurin. Është diçka që duhet të na bëjë krenarë të gjithëve”.

“Më kujtohen edhe fjalët e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, kur thoshte: Kjo kohë transformimi do nxjerrë në pah tradhëtarët dhe patriotët e saj dhe historia do i japë vendin e saj gjithësecilit. Këto fjalë mbeten të gjalla ende sot, kur Shqipëria është në një periudhë transformimi”, theksoi Gjiknuri.

109 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani dhe rrethinat e tij shpallën pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë kështu pavarësisë së vendit në 28 Nëntor.

Më 25 Nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Në kuvendin historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mid’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit.

Shpallja e Pavarësisë e Elbasanit ishte nder për këtë qytet, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare.

 

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.