Kalim i paligjshëm kufiri, arrestohen 7 shtetas

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Morina”, ku u bë arrestimi i 7 shtetasve dhe një tjetër u procedua i lirë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Kukës, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, goditën 7 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale”, bën të ditur Policia e Shtetit.

“Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. V., 21 vjeç, T. H., 24 vjeç, J. H., 31 vjeç, A. Sh., 20 vjeç, D. D., 18 vjeç dhe A. D., 23 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe F. D., 18 vjeç, banues në Kukës. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. Gj., 53 vjeç, banues në fshatin Gziq, Mirditë. Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjete të ndryshme, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit”, thuhet në njoftim.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.