Ibrahimaj: Reduktimi i TVSH-së nuk sjell ulje të çmimeve

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se përjashtimet dhe normat e reduktuara të TVSH-së nuk arrijnë në përfitime për qytetarët, por janë përfitime për bizneset.

Duke shpjeguar ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, gjatë seancës plenare të Kuvendit, ministrja Ibrahimaj tha se, qeveria është që të garantojë që paratë që hedh, apo paratë që nuk mbledh të shkojnë te qytetarët, të shkojnë te fermerët dhe jo vetëm te biznesi.

“Ne mendonim se duke reduktuar taksat, këto taksa të reduktuara do të shkonin në xhepat e qytetarëve, do të shkonin në xhepat e fermerëve. Por nuk ka ndodhur kështu. Në fakt, të gjithë përjashtimet nga TVSH-ja nuk janë përkthyer në ulje të çmimeve. Dua të theksoj se edhe FMN-ja, në misionin e vet të fundit, nuk mbështet uljen e TVSH-së për produktet e shportës dhe kjo ndodh për një arsye. Arsyeja e vetme është ajo që sapo thashë, këto reduktime të normës së TVSH-së nuk përkthehen në ulje të çmimeve. Ne gjatë vitit të kaluar rritëm pragun e TVSH-së, pra përjashtuam nga TVSH-ja të gjithë subjektet që operojnë nga 0 deri në 10 milionë lekë. Po marr një shembull, të gjithë furrat e bukës janë brenda kësaj kategorie. A u ul çmimi i bukës vjet? Jo, nuk u ul. Kjo do të thotë që edhe nëse ne e lehtësuam biznesin, dhe në fakt qëllimi ishte të lehtësonim dhe të zhvillonim biznesin, ne nuk arritëm që të ulnim çmimet dhe kemi formuar bindjen që përjashtimet e TVSH, normat e reduktuara të TVSH-së nuk arrijnë në përfitime për qytetarët, por janë përfitime për bizneset, që patjetër që duhen ndihmuar. Por, qeveria është këtu që të garantojë që paratë që hedh, apo paratë që nuk mbledh të shkojnë të qytetarët, të shkojnë te fermerët dhe jo vetëm te bizneset”, deklaroi Ibrahimaj.

E njëjta situatë sipas ministres Ibrahimaj është edhe për fermerët.

“Ato politika fiskale të cilat ne kemi mbajtur gjatë viteve të kaluara, pra kompensimi i vlerës 6 % të TVSH-së nuk ka arritur te fermerët. Ajo që kemi vendosur të bëjmë këtë vit dhe në vitet në vijim është të reduktojmë përjashtimet, të reduktojmë të gjithë hapësirat që krijohen nga politika fiskale dhe këto lekë që do të mblidhen nga këto hapësira do të shkojnë në mbështetje të sektorëve prioritarë. Siç bëmë këtë vit. Hoqëm përjashtimin 6 % dhe këto lekë shkojnë në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë. Do të shkojnë në mënyrë të strukturuar, do të shkojnë në ato kultura të bujqësisë të cilat meritojnë të nxiten”, u shpreh ministrja.

Një tjetër ndërhyrje në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” që prek sektorin e bujqësisë është heqja e pëjashtimit nga TVSH për inputet bujqësore.

“Përjashtimi për inputet bujqësore nuk ka dhënë efektin e duhur në reduktimin e çmimeve të inputeve bujqësore në vitin që është aplikuar. Ne do të vijojmë të mbajmë një normë të reduktuar të TVSH-së, pra nuk po shkojmë te norma standard 20 %. Do të vijojmë ta incentivojmë sektorin, duke e mbajtur normën në 10 % dhe më lejoni të ritheksoj që të gjithë këto para që do të mblidhen shtesë nga TVSH-ja janë para që do të i shkojnë drejtpërdrejt sektorit të bujqësisë për mbështetje të fermerëve”, deklaroi ministrja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.