Eurobondi, tregjet konfirmuan se borxhi i Shqipërisë nuk ka risk

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, fakti që Shqipëria emetoi një eurobond 10-vjeçar dhe mori ato interesa që mori, është rikonfirmim i drejtpërdrejtë nga tregjet se borxhi i Shqipërisë është një borxh pa risk.

I pyetur në një emision televiziv, për eurobondin dhe borxhin publik, Rama tha se, “nëse borxhi i Shqipërisë do të ishte problematik atëherë Shqipëria do të kishte pasur një dështim spektakolar me eurobondin. Fakti që Shqipëria emetoi një eurobond 10-vjeçar dhe mori ato interesa që mori është rikonfirmim i drejtpërdrejtë nga tregjet, jo nga forca subjektive, nga tregjet, që bëjnë vetëm llogari, që borxhi i Shqipërisë është një borxh pa risk. Nuk ka risk borxhi i Shqipërisë. Ne përpara se të binte tërmeti kemi pasur një borxh që e kemi ulur në 66%. Ishim shumë mirë dhe vazhdonim uljen”.

“Ra tërmeti, erdhi pandemia dhe po të shikosh të gjitha qeveritë e planetit kanë rritur borxhin dhe Mario Draghi që ishte profeti i financave dhe i stabilitetit makroekonomik, bëri një letër të hapur për të gjitha qeveritë dhe tha tani është koha për të marrë borxh dhe për të hedhur likuiditet, kur erdhi pandemia. Ne kemi shkuar tani në 80.2%”, theksoi Rama.

“Tani ky borxh, i rritur nëse do të ishte problematik, pra nëse tregjet do të konstatonin që Shqipëria nuk ka kapacitete për ta shlyer, për ta ulur borxhin në vijimësi. Sepse ata marrin projeksionet e uljes apo rritjes ekonomike, ne do kishim dështuar me eurobondin, kështu që borxhi ynë nuk është një borxh problematik”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë ajo që ka ndodhur dhe ajo që ka rëndësi është sa investon ti me borxhin? Pra nëse borxhin e merr thjesht për të larë borxhe apo për të investuar dhe për t’u rritur. Sepse nëse ti investon, rritesh, atëherë kapaciteti yt për të shlyer borxh është ok. Ne e kemi dyfishuar në krahasim me Doktorin e kemi dyfishuar investimin për çdo 100 lekë borxh”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.