BM – Patel: Përpjekje të koordinuara ndërkombëtare kundër kalimeve të paligjshme në La Mansh

LONDËR, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel bëri thirrje sot për një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për të luftuar grupet kriminale që organizojnë kalimet e paligjshme në La Mansh, pas mbytjes së 27 emigrantëve një ditë më parë.

“Për të parandaluar këto kalime, ne duhet të përgjigjemi ndaj efekteve afatgjata të thirrjeve, të shkatërrojmë bandat kriminale që i trajtojnë njerëzit si mallra dhe të sulmojnë zinxhirët e furnizimit. Kjo kërkon një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare”, tha Patel para deputetëve.

“Është një problem i ndërlikuar dhe nuk ka zgjidhje të lehtë”, theksoi ajo.

“Kjo përfshin një përpjekje herkuliane dhe do të jetë e pamundur pa bashkëpunim të ngushtë midis të gjithë partnerëve ndërkombëtarë”, shtoi Patel.

Ministrja përsëriti, gjatë një interviste sot me homologun e saj francez, Gerald Darmanin, ofertën britanike për të dërguar forca për të patrulluar brigjet franceze, e refuzuar nga Parisi deri më tani.

Ajo siguroi se BM i kishte dhënë Francës “mbështetje të vendosur dhe bujare për t’i dhënë fund kësaj tregtie të tmerrshme”.

Sipas shifrave të përpiluara nga agjencia britanike e lajmeve PA, më shumë se 25 700 njerëz kanë arritur në Angli me varka të vogla që nga fillimi i vitit, tri herë më shumë se në të gjithë vitin 2020.

Sipas Zyrës së Brendshme, 37 562 kërkesa për azil u bënë në vitin që përfundon në shtator, numri më i lartë që nga viti 2004./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.