BELGJIKË – De Croo: Ringjallja e epidemisë COVID-19 më e lartë se parashikimet më pesimiste

BRUKSEL, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Rritja e rasteve të infektimit dhe shtrimeve në spital të lidhura me COVID-19 në Belgjikë është më e lartë se kurbat më pesimiste të skicuara javën e kaluar nga ekspertët shkencorë, njoftoi sot kryeministri belg, Alexander De Croo.

“Të dhënat e fundit të mbledhura tregojnë se situata epidemiologjike është përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit”, tha De Croo në një deklaratë.

Të hënën, shkalla ditore e infektimeve theu një rekord në Belgjikë, qënuk ishte parë që nga fillimi i pandemisë në mars 2020, me 23 621 raste të reja të regjistruara nga instituti i shëndetit publik Sciensano.

Rekordi i mëparshëm u kthye në valën e dytë, me 22 221 raste të identifikuara më 27 tetor 2020, sipas Sciensano.

Gjatë javës së kaluar, ka patur mesatarisht më shumë se 16 000 infeksione në ditë në këtë vend me 11,5 milionë banorë.

Qeveria pritet të mbledhë urgjentisht drejtuesit e subjekteve të federuara mëngjesin e së premtes për të vendosur masat e reja./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.