Basha: Ky nuk është buxheti i qytetarëve, por i klientëve të qeverisë

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se ky nuk është buxheti i qytetarëve, por i klientëve të qeverisë.

Në fjalën e tij në Kuvend, Basha tha se paradoksialisht qeveria që nuk dëgjon fermerët, që nuk dëgjon asnjë grup interesi, pasi ka arritur të lërë të pakënaqur të gjitha grupet e interesit, shoqata prodhuesish vendas, eksportuesish, investitorësh, tregtarësh, rekord historik ky në fakt që tregon shumë për cilësinë e politikave të qeverisë, është e njëjta qeveri që ka votuar në këtë sallë ligjin për bashkëqeverisjen.

“Pra, keni bërë ligj parullën propagandistike që kujtoni me nostalgji, ‘ç’thotë populli bën partia’, por kur vjen nevoja për të pyetur ata që qeverisini, me të cilët medemek bashkëqeverisni, ju ktheheni në bunkerë të interesave të një pakice mikroskopike njerëzish. Sepse ky nuk është buxheti i qytetarëve, por buxheti i klientëve tuaj, me të cilët keni ndërtuar një model ekonomik putinist, të ngritur mbi klientelizmin dhe korrupsionin të kudondodhur, siç tregon çdo raport dhe çdo studim ndërkombëtar. Një model putinist që bazohet mbi kontrollin asfiksues të ekonomisë, që nuk prodhon mirëqenie për qytetarët.  Sepse pavarësisht se keni rritur taksat dhe tarifat më shumë se çdo qeveri tjetër, që nga koha e Tanzimatit, pavarësisht se keni marrë borxh më shumë se të gjitha qeveritë bashkë nga viti 1991 deri në vitin 2013, rezultati i vetëm që prodhoni është varfërimi, që kërcënon 50 % të bashkëqytetarëve tanë, dhe shpopullimi, që është plaga më kërcënuese e shoqërisë tonë, e cila po mpaket dhe po plaket me shpejtësi marramendëse, ndërkohë që prioriteti i vetëm që ju keni janë PPP-të dhe koncesionet klienteliste, të shoqëruara nga poshtërsitë hileqare si ato që vuri në dukje Kontrolli i Lartë i Shtetit, me tendera rrugësh pa pasur fonde, me prokurime të paparashikuara në buxhet dhe të pamiratuara nga parlamenti”, tha ai.

“Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë symbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40 % të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri, mos t’u shkelet sakrifica, mos t’u hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20 % të prodhimit të brendshëm bruto. Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Evropë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonat, me sytë e veshët mbyllur. Janë njerëz që vetëm japin, vetëm kontribuojnë, dhe në këmbim nuk marrin asgjë, krahasuar me kolegët e tyre në rajon, pa përfshirë fare Evropën. Sepse arkat e shtetit që ata vetëm i mbushin me taksa të larta të drejtpërdrejta e të fshehura, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif. Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, që gdhihen dhe ngrysen me shqetësimin e të nesërmes, me ankthin e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre, me pamundësinë për t’u përballur me produktet e rajonit që subvencionohen shumë herë më shumë se këtu, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni me teatrin që të ngjall krupën, ku përdorni edhe gaztorët e oborrit tuaj, që nginjen nga koncesionet dhe syshkeljet tuaja, që i kanë shndërruar në oligarkë arrogantë”, tha ai.

Basha shtoi se fermerët që protestojnë, kanë protestuar me të drejtë çdo vit që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria.

“Protestojnë, sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar. Protestojnë, sepse përveç rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore që po e ndjejnë në xhepat e tyre, do të përballen edhe me rritjen shtesë me 10 % të çmimit, meqenëse ju vendosët të shtoni me 10 % TVSH-në, e po ashtu po hiqni 6 % e TVSH-së së kreditueshme. Protestojnë, sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit. Por mbi të gjitha, protestojnë, sepse ju nuk jeni konsultuar me askënd për këto masa që po e dëmtojnë bujqësinë, po i dëmtojnë familjet që jetojnë me tokën dhe blegtorinë, dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor, protestojnë, sepse nuk keni dëgjuar grupet e interesit përpara se të merrni angazhime që do të prodhojnë efekte negative të drejtpërdrejta në veprimtarinë e tyre. Dhe përsëri, fatkeqësisht kontrasti midis asaj që deklaroni dhe asaj që bëni është shumë i qartë, dhe shihet në zemëratën e atyre burrave dhe grave që mblidhen pak metra nga kjo ngrehinë, sepse janë përpara Parlamentit të vendit më bujqësor në Evropë, ku bujqësia ka një impakt prej 20 % në prodhimin e brendshëm dhe jep mbështetjen më të vogël në Evropë për fermerët”, tha ai.

Ulja e TVSH-së për produktet e shportës ndihmë për qytetarët

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se ulja e TVSH-së për produktet e shportës është në ndihmë të bashkëqytetarët tanë që luftojnë çdo ditë me koston e papërballueshme të jetesës.

Duke folur në Kuvend Basha ka vënë theksin te propozimi i amendamentit të PD-së, ulja e TVSH-së për prodhimet e shportës.

“Të gjithë bashkëqytetarët tanë që luftojnë çdo ditë me koston e papërballueshme të jetesës, me çmimet e rritura të ushqimeve, energjisë dhe karburantit, nuk do të kenë mundësi të gjejnë një lehtësim nga ulja e TVSH-së për produktet e shportës nga 20 % në 6 % që ne propozojmë, sepse paketa fiskale që shoqëron këtë buxhet, nuk është për qytetarët, dhe as nuk pasqyron hallet dhe nevojat e tyre, por pasqyron grykësinë e qeverisë, të shtetit më të korruptuar në rajon e në Evropë. Dhe kjo grykësi pasqyrohet në vendimet e pamoralshme dhe të çoroditura që kjo qeveri ndërmerr, të cilat reflektojnë shkëputjen nga interesat e shumicës dërrmuese të qytetarëve. Sepse kur nevoja e tyre është të paguajnë çmime më të ulëta për karburantin, shumë ndryshe nga sa bëri pak ditë më parë qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila uli çmimet e tyre, ky grup të korruptuarish dhe të paaftësh jo vetëm që nuk ul taksat që e bëjnë naftën që shqiptarët paguajnë ndër më të shtrenjtat në Evropë, por vendos të godasë familjet dhe konsumatorët duke rritur me 6 lekë akcizën e gazit”, tha ai.

Basha tha se, qeveria ngre akcizën e gazit dhe ul taksën e karburantit për klientët nga 65 lekë në 40 lekë për litër.

“Ndërsa nga ana tjetër, po e njëjta qeveri që ngre akcizën e gazit, që mban taksën Rama prej 240 lekë për litër mbi karburantin, që refuzon uljen e TVSH-së për produktet e shportës, që u ngre fermerëve TVSH-në e inputeve bujqësore, vendos të ulë taksën e karburantit për klientët nga 65 lekë në 40 lekë për litër. Pra jo 65 lekë për litër, siç deklaronin pak ditë më parë, por 40 lekë për litër, duke treguar qartë se edhe në kohë krizash, edhe në kohë të vështira për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare, prioritet nuk kanë interesin tuaj, por interesat e tyre dhe të klientëve të tyre”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.