Balluku: 1,8 miliardë lekë për shpronësime në buxhetin 2022

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Në projetkbuxhetin për vitin 2022 janë parashikuar 1.8 miliardë lekë për shpronësimet për interes publik.

Shifra u bë e ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballluku.

Qeveria parashikon hapjen e një sërë kantieresh të reja kryesisht në infrastrukturë, ndërsa do të vijohet financimi i projekteve në vijim.

Tuneli i Llogorasë, ndërtimi i bajpasit të Tiranës e Gjirokastrës dhe financimi i disa loteve të Unazës së jashtme të Tiranës, janë disa nga projektet infrastrukturore që do të financohen nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2022.

Në vitin 2022 pritet të përfundojnë një sërë segmentesh rrugore, projekte këto me kontrata të lidhura. Për përmbylljen e këtyre projekteve është parashikuar një mbështetje buxhetore prej 1.5 miliardë lekë ose 20 % e buxhetit me financim të brendshëm.

Ndër projektet kryesore janë loti i 7-të i rrugës Kardhiq-Delvinë, ose tuneli i Skërficës; loti i 2-të i bajpasit të Shkodrës; rruga Palasë-Dhërmi; loti i 3-të i segmentit rrugor Mbikalimi i “Pallatit me shigjeta” – Rrethrrotullimi “Shqiponja”; loti i 2-të i rrugës Korçë-Ersekë; ndërtimi i rrugëve lidhëse te rrethrrotullimi i TEG; rikualifikimi i akseve rrugore të Unazës Lindore; ndërtimi i rrugës lidhëse të autostradës Milot-Morinë me aeroportin e Kukësit; rikonstruksioni i Urës së Vorës dhe asaj të Kirit në Shkodër.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.