Balla-opozitës: 7.5 milionë dollarë subvencion tek fermeri

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se 7.5 milionë dollarë do shkojë drejtpërdrejt si subvencion tek fermeri.

Në fjalën e tij në Kuvend në përgjigje të deputetëve të PD-së se fermerët janë harruar, Balla tha se, bujqësia matet me sa hektarë tokë mbillej në 2013 e sa hektarë sot. Në vitin 2013 mbillej 120 mijë ha, sot, në vitin 2021 janë 255 mijë hektarë.

“Kontributi në buxhet është një pjesë çfarë parashikon buxheti për bujqësinë, por të mos harrojmë se në vlerën totale të PBB prej 3.5 miliardë që është një shifër kolosale dhe e rritur me 50 % në katër pesë vitet e fundit”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të jeni të kujdesshëm kur hyni në një debat me PS për bujqësinë.

“Deri në vitin 2013 që PD ka qeverisur 13 vite nuk ishte investuar në kanale vaditëse asnjë qindarkë. Sot jam krenar që PS ka të garantuara nën ujë 230 mijë hektarë”, tha Balla.

“Nga e gjithë kjo, 230 mijë ha janë investime pas 2013-ës. Edhe unë gjatë diskutimeve të buxhetit kam pasur shumë debate. Biem të gjithë dakord, që 6 % nuk shkonte te fermeri, është një formë rimbursimi e paligjshme sepse nuk shkonte aty ku ishte destinuar. 6 % nuk ka shkuar te fermeri, por është mbajtur nga grumbulluesi në një formë subvencioni të pandershme. Sot kemi rënë dakord me një pjesë të protestuesve, se 6 % përkthehet në vlerë monetare 7.5 milionë dollarë. Ky 7.5 milionë dollarë do shkojë drejtpërdrejti subvencion tek fshatari. 9 milionë dollarë që është që është çështja e 10 % të TVSH i inputeve bujqësore do shkojë te buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për të shkuar sërish tek fermeri”, tha ai.

Balla shtoi se, ju e mbani mirë mend përmbytjen e tokave bujqësore, por kemi investuar në 40 diga dhe në 80 km argjinaturë.

“Më thoni sa metra argjinaturë ka investuar PD? 400 milionë euro është vlera e eksporteve të produkteve bujqësore. Te peshkimi përtej 100 milionë euro dhe bëhet 500 milionë euro dhe në fund të mandatit ne do të kemi arritur vlerë 1 miliard eksporte”, tha ai.

Për sa i përket deklaratës së Bashës se nuk krahasohemi me vendet e Rajonit, Balla u shpreh se, “sot po diskutojmë një marrëveshje me BE për thithjen e fondeve në bujqësi. Ne jemi të parët në Rajon, sepse kemi përthithur më shumë fonde se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.