Albanologët shqiptarë qëndrojnë me dinjitet krah dijetarëve evropianë e botërorë

TIRANË 25 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, i cili nisi punimet sot në Tiranë.

Në Kuvend marrin pjesë, përveç akademikëve, studiuesve dhe albanologëve nga Shqipëria e Kosova, edhe albanologë të njohur, nga universitete dhe qendra kërkimore të huaja që kryejnë studime për botën shqiptare.

Rreth 182 studiues shqiptarë dhe të huaj kanë mbërritur në Tiranë për kuvendin e madh të albanologjisë. Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës nisi sot punimet në hotel “Plaza” dhe do zhvillohet nga 25 deri më 27 nëntor 2021.

Në fjalën e saj përshëndetëse në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, Nikolla u shpreh se, “para disa vjetësh, kur shkrimtari ynë me njohje botërore Ismail Kadare, pati një takim me përkthyesit e tij në afro 50 gjuhë të Botës, të ftuar nga Akademia e Shkencave për të nderuar 85-vjetorin e lindjes së tij, ndër të tjera tha se gjuha shqipe do t’ju jetë përgjithnjë mirënjohëse për dedikimin tuaj ndaj letërsisë dhe kulturës  shqiptare. Edhe unë mendoj se jashtë çdo diskutimi, gjuha, historia, kultura, identiteti dhe qytetërimi shqiptar do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës. Por edhe shteti shqiptar, duke e ditur mirë se ju i jeni kushtuar albanologjisë pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë reciprociteti, pa asnjë detyrim palësh, e ndien për detyrë të nderojë punën dhe kushtimin tuaj. Dhe kjo është një nga arsyet themelore pse unë jam sot këtu para jush, për t’ju përshëndetur dhe falënderuar që i jeni kushtuar një gjuhe dhe kulture pa vëllezër e motra, të vogël në dukje, por me një rëndësi themelore për studime të rëndësisë parësore në studimet gjuhësore dhe krahasuese”.

“Ne nuk na vjen keq kur na thonë se i jemi drejtuar albanologjisë për shkak të helenistikës, romanistikës, sllavistikës apo dhe orientalistikës. Në këtë rrugë kanë ecur albanologët më të shquar, prej themeluesve deri tek Eric Hamp. Ky është një pohim i sinqertë, që na bën të ditur se shqipja jonë dhe gjithçka që është ngritur mbi të: historia, identiteti, kultura, qytetërimi, janë të domosdoshme për të sqaruar edhe histori të të tjerëve. Kjo është bota e sotme globale, jo vetëm në aspektin tekonologjik dhe ekonomik, por edhe kulturor, vleror e të qytetërimeve. Ne nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.Kjo është hera e parë që studiuesit albanologë, përfaqësues të të gjitha shkollave dhe qendrave albanologjike në Botë dhe në hapësirën historike shqiptare, janë bashkë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të krahasuar, historizuar dhe objektivizuar faktet e burimet. Falënderimet tona i drejtohen para së gjithash Akademisë së Shkencave, Kryesisë së saj, akademik Gjinushit, që na ka mundësuar të njihemi njëherësh me kontributet tuaja mbi albanologjinë shqiptare, që nuk janë vetëm kontribute shkencore, por njëkohësisht kontribute për Shqipërinë.Këtu kam parasysh jo vetëm albanologët e huaj, por edhe për brezat e albanologëve shqiptarë, të cilët kanë qëndruar dhe qëndrojnë me dinjitet të krah të dijetarëve të shquar evropianë e botërorë”, tha ajo.

Po ashtu, Nikolla shtoi se detyra ime si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë është të kem gjithë kujdesin kushtetues për sovranitetin e vendit.

“Por sovraniteti sot është një çështje shumë relative. Në botën e sotme të konkurrencës së vlerave, pikëpamjeve, kulturave dhe qytetërimeve, sovraniteti lidhet gjithnjë e më shumë me identitetin. Kush ka identitet, ka sovranitet. Dhe identiteti, përurimi i brendshëm dhe i jashtëm i tij, brenda nesh dhe në botë, është krejt i kufizuar prej studimeve albanologjike. Prandaj ne e shohim të pandarë albanologjinë që zhvillohet në mjediset shqiptare prej albanologjisë që zhvillohet kudo në Botë, sepse nuk ka ndonjë fushë tjetër integrimi objektiv se sa kjo.Në emër të Kuvendit të Shqipërisë uroj që ky kuvend të diturish, të jetë një mundësi e artë që albanologjia si dije paradigmatike jo vetëm të paraqesë e konfirmojë arritjet e saj më cilësore, në një epokë privilegjesh që i ofron shoqëria e hapur; por edhe të verifikojë e stabilizojë tezat themelore të saj, si një dije me objekt, qëllim dhe metodë shkencore.Një gjysmë shekulli më parë, apo edhe katër dekada më parë, një kuvend si ky ishte i paimagjinueshëm. Receptimet stereotipike, për shkak të verbërisë ideologjike; si dhe refuzimet për shkak të parimeve sot nuk ekzistojnë më. Gëzojeni këtë privilegj të lirisë dhe presim më të mirën nga ju”, tha ajo.

Gjinushi:

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi çeli Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, i cili u shpreh se “ky është një kuvend ndërkombëtar studimesh albanologjike jo thjesht në kuptimin e gjeografisë, por para së gjithash referuar kërkesave dhe standardeve mbi të cilat është përgatitur dhe karakterit gjithëpërfshirës të tij”.

“E konsiderojmë një nga arritjet më të rëndësishme të këtij kuvendi që në të janë të përfshira e të përfaqësuara të gjitha shkollat, qendrat dhe njësitë e studimeve albanologjike, të cilat, gjatë dekadave të fundme, janë fuqizuar e shumëfishuar, që nga Australia, Kina e Japonia deri në vendet tona të afërme”, tha ai.

“Kanë kaluar dekada nga koha kur në Tiranë janë organizuar evente të ngjashme me të. Gjatë kësaj periudhe, studimet në këtë fushë, kanë ndjerë, për mirë e ndonjëherë edhe për keq, peshën e ndryshimeve historike që përfshinë Botën në tërësi, në mënyrë të veçantë vendet ish-komuniste. Hapja dhe liria e fituar mundësoi ndarjen nga trajtimet skematike e të ideologjizuara. Ajo hapi rrugën që studiuesit shqiptarë të qëmtojnë lirisht arkivat, bibliotekat dhe qendrat kërkimore-shkencore jashtë. Përgjatë këtyre dekadave janë organizuar disa konferenca tematike me rëndësi kushtuar etnogjenezës së shqiptarëve, historisë së shqipes dhe burimit të lashtë të saj; traditave të trashëgimisë albanistike në rajone të ndryshme të Botës referuar kufirit gjuhësor; qëndresës mesjetare arbërore dhe rolit historik të Gjergj Kastriotit si një nga protagonistët e shquar të shekujve të Renesancës Europiane; eposit heroik legjendar; zbulimeve të reja të kulturës materiale; qytetërimit parashqiptar dhe shqiptar; evolucionit të shkallëshkallshëm nga popullsi në bashkësi dhe në vetëdije kombëtare; çështjeve të identifikimit dhe të vetidentifikimit të shqiptarëve prej kohërave më të hershme deri sot. Të gjitha këto ngjarje kanë qenë stacione në të cilat dija shqiptare është ndalur dhe ka bërë bilancet e veta”, vuri në dukej akademiku Gjinushi.

Gjatë afro një gjysmë shekulli, vijoi ai, albanologjia ka njohur ndryshime sasiore e cilësore. Rëndësia e saj është rritur bashkë me rritjen e rëndësisë së shkencave të lidhura me të, si helenistika, romanistika, sllavistika e orientalistika. Albanologjia është me fat që përfaqëson interes shkencor jo vetëm për vete, por edhe si një çelës për të depërtuar në sekrete të këtyre dijeve të afërta, si një shkencë me rëndësi si në rrafshin ballkanik, dhe në atë indoeuropian.

Ai theksoi se rëndësinë e albanologjisë, sikurse rëndësinë e çdo shkence të ngjashme me të në vendet tona në rajon, e kanë rritur edhe proceset tashmë të definuara qartë të integrimit të shqiptarëve në një botë më të madhe, procese të cilat kërkojnë edhe ekspertizën shkencore të dijetarëve albanologë.

Në kërkimet arkeologjike, në vazhdim të traditës dhe të arritjeve të mëhershme, të krijuar nga një gjeneratë e shquar arkeologësh si katër manjifikët Ceka, Islami, Prendi e Anamali, vijues të suksesshëm të veprës së arkeologëve të huaj, Gjinushi tha se janë realizuar punë e projekte frytdhënëse. “Kërkime të shumta janë bërë nga arkeologë shqiptarë e italianë, francezë, gjermanë, grekë, britanikë e polakë, kroatë, hebrenj e austriakë e amerikanë. Të një rëndësie parësore janë zbulimet e reja në Butrint, Apoloni e Bylis. Me vlerë të veçantë janë kërkimet në luginën e Drinos, që kanë hedhur dritë mbi fazat e zhvillimit urban në Hadrianopol, Antigonè e Paleokastër. Gjetjet arkeologjike në Koman e në Kosovë kanë rëndësi për vërtetimin e thelluar të vazhdimësisë iliro-shqiptare në një hapësirë të gjerë, finalizuar me hartimin e së parës hartë arkeologjike të Kosovës. Rezultatet e arritjeve në arkeologji janë pasqyruar në një sërë botimesh, si dhe në revistat Iliria, Candàvia e Studia Albanica; në shumë monografi e përmbledhje studimesh dhe në mjaft vepra themelore në arkeologji”, pohoi Gjinushi.

Ai shtoi se në dritë të këtyre zbulimeve, tashmë ekziston një rrjet i tërë i siteve arkeologjike të vendbanimeve ilire e protoilire për çdo periudhë të parahistorisë dhe të historisë, që prej epokës paleolitike të gurit deri tek zhvillimet paraurbane e urbane në qytetërimin ilir.

Me rezultatet e kërkimeve të arkeologëve vendës e të huaj sot është krijuar një bibliotekë botimesh arkeologjike dhe një galeri e tërë artefaktesh për kulturën dhe qytetërimin, prej antikitetit deri në Mesjetë.

“Thellimi i kërkimeve në thellësi e në gjerësi, veçmas në prapatokë, ka mundësuar të dalë më në pah prania e iliricitetit në vendbanimet më të hershme; si dhe të krahasohen e veçohen ndikimet e dallimet me qytetërimet e tjera, për të njohur e dëshmuar më mirë tipologjinë e kulturave të mëparshme proto-ilire e parailire, ndërveprimin midis tyre e me kultura e civilizime indoeuropiane e paraindoeuropiane, në hapësirat ballkanike, adriatike e mesdhetare”, nënvizoi kreu i Akademisë së Shkencave.

Në fjalën e tij, Gjinushi u ndal edhe në fushën e studimeve historike ku janë realizuar një sërë studimesh e botimesh me vlerë në Tiranë e në Prishtinë, mbi bazën e dokumenteve të reja të zbuluara në arkivat e Romës, Venedikut, Raguzës, Vjenës e Ankarasë. Studiues të nderuar, nga vendi e Bota, pasuruan fondin e dëshmive të historisë shqiptare përgjatë dymijë vjetëve.

“Falë kësaj baze më të plotë dokumentare e duke shfrytëzuar edhe të dhënat e arkeologjisë e të gjuhësisë; mbështetur në arritjet e historianëve të mirënjohur si Aleks Buda, Injac Zamputi, Arben Puto, Dhimitër S. Shuteriqi e Kristo Frashëri; është hedhur dritë e re për Mesjetën e hershme të arbërve; për organizimin shoqëror dhe proceset shtetformuese ndër shqiptarë; për vendin dhe rolin e tyre në kuadrin e perandorive të kohës, të vjetra e të reja: në kuadër të Bizantit, të Romës e të perandorisë otomane; për lidhjet dhe raportet me mbretëritë europiane të atyre shekujve: me Aragonët, anzhuinët, Napolin dhe Venetikun; për kohën dhe rrethanat e themelimit të shtetit të Arbnit. Rezultatet e kërkimeve të thelluara mbi historinë e shqiptarëve janë bërë objekt tubimesh shkencore ndërkombëtare në Tiranë e Prishtinë; në Vjenë; në Romë, Kozencë, Palermo e Napoli; në Nju Jork; në Mynih e Berlin; në Paris, Madrid e Budapest; në Athinë, Varshavë e Shkup; në Sankt Petersburg, Zagreb e Ljubljanë dhe gjetkë”, deklaroi Gjinushi.

Sa i përket studimeve gjuhësore, akademiku tha se “në vazhdim e thellim të tezave që përbëjnë themelet e studimeve të albanologëve tanë, si Eqrem Çabej e Idriz Ajeti; Shaban Demiraj, Selman Riza, Besim Bokshi, Mahir Domi; që e vendosin shqipen si gjuhë me lidhje zanafillëse me burimin e familjes së gjuhëve indoeuropiane, si një gjuhë e vjetër vijuese e ilirishtes; hulumtimet kanë vazhduar me sukses me zbatimin e teorive bashkëkohore në rindërtimin e paraformave protoshqipe. Risi janë shënuar edhe në studimet e fonetikës dhe gramatikës historike të shqipes, në fjalëformimin e shqipes së vjetër, të historisë së dialekteve kryesore të saj, në vendin e shqipes në lidhjen gjuhësore ballkanike etj”.

“Në studimet leksikografike e dialektologjike ka një progres që nuk mund të imagjinohej pa teknologjinë bashkëkohore të informacionit. Korpusi leksikor i arbërishtes së folur e të shkruar, korpuse të tjera të shqipes që arrijnë deri në dhjetëra milionë njësi, e kanë ndryshuar jo vetëm numerikisht, por edhe cilësisht, gjendjen e fjalës shqipe, duke dhënë mundësi statistikimi jo vetëm për dendurinë e përdorimit të saj, por dhe për konkurrencën e formave në përdorim; shoqëruar edhe me studime nga këndvështrime të reja mbi historinë e krijimit të strukturës dialektore të shqipes, duke krijuar premisat edhe për hartimin e një atlasi sintaksor të dialekteve të shqipes.  Në fushën e leksikologjisë sinkronike arritje ka në fushën e hartimit të fjalorëve një- dhe dygjuhësh, cikël i cili do të plotësohet edhe me një fjalor të tipit të madh, me rreth 100 mijë fjalë”, shtoi Gjinushi.

Arkeologu Neritan Ceka në këtë Kuvend mbajti kumtesën “Poleogeneza dhe disa çështje themelore të qytetit ilir”.

“Procesi i formimit të qyteteve antike në Ilirinë e Jugut dhe në Epir ka përbërë një temë që ka vazhduar të ndiqet përmes gërmimeve arkeologjike, si dhe në tubimet shkencore, veçanërisht atyre të organizuara nga prof. P. Cabanes. Poleogeneza mund të ndiqet në dy rrugë paralele: e para në modelin e implantimit të ngulimeve korinto-korkyrase të Dyrrahut e Apolonisë në çerekun e fundit të shek. VII p. Kr, ndërsa e dyta si proces endemik i formimit të qendrave protourbane të tipit Belsh-Margëlliç-Mashkjesë rreth mesit të shek. VII p. Kr. Të dyja janë pjesë e një zhvillimi të vetëm, të krijimit të shoqërive antike të bazuara në zhvillimin primar të ekonomisë së tregut dhe strukturimin shoqëror-politik”, u shpreh ai.

“Procesi i poleogenezës në hapësirën ilire-epirote i ka fillimet në shoqërinë patriarkale të periudhës së parë të hekurit, por qyteti si formë e organizimit ekonomik, shoqëror e politik nuk përfaqëson një vazhdim linear të vendbanimeve të fortifikuara prehistorike. Vendbanimet protourbane si fillesa të qytetit antik përbëjnë një formë të re, që përmes zhvillimit të mëtejshëm në të njëjtën hapësirë, apo përmes sinoikizmit japin vetëm pas dy shekuj formën e plotë të qytetit”, tha Ceka.

Akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave mbajti kumtesën “Shekulli XI dhe shqiptarët: nga aleatë e isopolitë të Bizantit, në rebelë e armiq të tij”.

“Në shek. XI, Michael Attaleiates gdhend me një frazë të vetme një moment krize të marrëdhënieve të shqiptarëve me Perandorinë Bizantine. Shqiptarët, thotë Attaleiates, deri atëherë aleatët tanë e të lidhur me ne nëpërmjet isopolitisë dhe fesë së njëjtë, u bënë papritur armiq të Bizantit. Gjykimi duhet marrë me rezervë, sepse edhe më tej, deri aty nga mesi i shek. XIV, një pjesë e mirë e vendeve shqiptare vazhdoi të jetë pjesë e Perandorisë Bizantine. Gjithashtu, edhe pse pas ndarjes së madhe të vitit 1054 Kisha e Romës fitoi gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri, përsëri Kisha e Kostantinopojës vazhdoi të mbajë nën juridiksionin e saj një numër të konsiderueshëm peshkopatash shqiptare. Megjithatë, qëndron i patundur konstatimi i Attaleiates, që shek. XI përfaqëson një vijë ndarjeje në marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin. Shqiptarët kishin qenë në krah të Bizantit në aventurën italike, të nisur nga Justiniani I në 535-555. Po ashtu në luftërat pafund, mes shekujve VII-XI, kundër ekspansionit të sllavëve në Ballkan, e posaçërisht kundër shtetit të parë bullgar në kohën e mbretërve Simeon e Samuel”, tha Xhufi.

Xhufi gjatë kumtesës së tij tha se, “në ato rrethana burimet evidentojnë rolin e strategëve të shquar nga familjet shqiptare Arianiti, Muzaka, Sgura. Por shek. XI solli një përmbysje të vërtetë në rolin gjeostrategjik të Shqipërisë, e në veçanti të asaj pjese qendrore të saj, Albanon (lat. Albanum, sllav. Raban) e cila me Durrësin e me rrugën e vjetër Egnatia formonte “bërthamën e vendeve shqiptare” (M. Angold, A. Ducellier, G. Prinzig). Nga një urë e Perandorisë që mundësonte projeksionin e saj në Perëndim, Shqipëria, me portet e me arteriet e saj rrugore, u bë porta e hyrjes për ushtritë e Evropës katolike që synonte vetë qendrën e Perandorisë, Kostandinopojën. Aty nga viti 1300, politikani e shkrimtari bizantin, Teodor Metochites, do ta përshkruante me terma po aq incizive, si Attaleiates në shek. XI, vendin e shqiptarëve në koniunkturën e re gjeopolitike. Sipas tij, banorët si ata të “Shqipërisë latine”, ashtu edhe ata të “Shqipërisë bizantine”, gjithnjë e më shpesh refuzuan t’i bindeshin perandorit bizantin, duke u prirë të lidheshin me Perëndimin”.

“Autori i kësaj kumtese konsideron me rëndësi të posaçme analizën e termit “isopoliteaia”, me të cilin Attaleiates përkufizon marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin në kohën e tij. Mbi bazën e shembujve të tjerë, ai arrin në përfundimin se isopoliteia ishte një status i veçantë, që Perandoria Bizantine u njihte popujve të tjerë “jo-homofilë”, pra, që nuk konsideroheshin pjesë e “racës bizantine” (genos ton Romaion). Kundrejt një shkalle të lartë autonomie që u njihte me marrëveshje të veçanta (synthekai) popujve isopolitë, Bizanti arrinte t’i kthente këta popuj në aleatë të vet (symmachoi). Si isopolitë dhe symmachoi, krerët e Arbanon-it dërgonin në ndihmë të Bizantit kontingjente me ushtarë shqiptarë, të cilët vepronin si njësi (korpuse) të veçanta e të dalluara nga pjesa tjetër e ushtrisë bizantine. Deri në mesin e shek. XI statusi i isopolitisë qe baza e marrëdhënieve të shqiptarëve me Bizantin. Por në kushtet e përmbysjes gjeopolitike të shek. XI e të vendosjes së një ekuilibri të ri, në favor të Perëndimit katolik, munguan kushtet që kishin përcaktuar marrëdhëniet e isopolitisë, dhe shumë shpesh në përplasjet e mëdha Lindje-Perëndim, shqiptarët i shohim të rreshtuar në krah të armiqve të Bizantit”, tha Xhufi.

Historiani francez, Pierre Cabanes në këtë Kuvend mbajti kumtesën “Nga komunitetet etnike te ndërtimi i një shteti: evolucioni në Ilirinë jugore”.

“Çështja e ekzistencës së një shteti ilir në Antikitet është një temë e trajtuar shpesh tashmë. Duke filluar me  morinë e komuniteteve etnike në Ilirinë Jugore në shek. IV p.K., dikush me të drejtë vë në pikëpyetje, ose jo, formimin e një shteti të vetëm ilir, krahas mbretërive të vogla të shumta ose shteteve lokale. Në shek IV p.K., Iliria Jugore ia doli të mblidhte ushtri të shkëlqyera, duke shkaktuar disfata për maqedonasit, si dhe molosët. Ekzistenca e këtyre ushtrive sugjeron se komunitete të ndryshme ua besuan kontingjentet e ushtarëve një prijësi, shpesh i zgjedhur nga mbretërit e fiseve të ndryshme (desaretët, taulantët, ardianët, etj.). Megjithatë, ushtritë nuk janë të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e një shteti ilir të përhershëm dhe të bashkuar: ata i humbën të gjitha veprimtaritë në kohë paqeje. Sidoqoftë, lidhjet ndërmjet komuniteteve lokale mbetën të forta, sidomos lidhur me blegtorinë transhumante që supozonte marrëveshje ndërmjet grupeve etnike, për ndarjen e kullotave, zonat e dimërimit dhe shtigjet e ndjekura nga tufat”, tha ai.

“Prandaj, komunitetet etnike ruajtën marrëdhënie të ngushta në sferën e jetës ekonomike, kryesisht të organizuara rreth blegtorisë transhumante, si dhe për mbrojtjen e tyre kolektive nga shtetet fqinje. Me sa duket, ilirët e jugut konceptuan një model origjinal, i cili nuk ishte as një shtet i bashkuar si mbretëria e Maqedonisë, dhe as një shtet federal si Epiri fqinj”, u shpreh historiani francez.

“Venecia dhe Shqipëria: bilanci i studimeve dhe rrugët e kërkimit në të ardhmen” ishte tema e kumtesës që zhvilloi në këtë Kuvend studiuesja italiane, Lucia Nadin.

Për sa i përket historisë së vonë mesjetare të Shqipërisë dhe lidhjeve të saj me Republikën e Venedikut, rikthimi i Statuti di Scutari (Statuteve të Shkodrës) ka krijuar perspektiva të reja në aspektin e Shqipërisë bregdetare, brenda një sistemi Adriatiko-Joniano-Mesdhetar dhe rrjedhimisht edhe evropian. Ky sistem do të duhet të studiohet në thellësi, me hulumtime krahasuese ndërmjet qyteteve bregdetare lindore dhe perëndimore të “Gjirit të Venedikut”, si dhe mbi qytetet e ndryshme të atij “Komonuelthi të Venedikut” pjesë e të cilit u bë edhe Shqipëria bregdetare”, shprehet ajo.

“Studimi i diasporës shqiptare mbi tokat e Serenissima-s, pas vdekjes së Skënderbeut, transferimi i Shkodrës pas dy rrethimesh historike dhe humbja e Durrësit, ka hapur skenarë të gjerë, duke treguar tipare të ndryshme nga diaspora në jug të Italisë”, tha ajo.

Ajo theksoi se, “dorëshkrimi i sapogjetur, De obsidione scodrensi i Marino Barlezio, do të çojë në përfundime të reja, edhe në krahasimi me tekstet e Marino Becichemo-s, për të cilin ne ndiejmë keqardhje për mungesën e studimeve”.

“Hulumtimi mbi Mesharin e Gjon Buzukut ka konfirmuar botimin e tij në një shtëpi botuese në Venedik dhe audiencën e synuar: emigrantët shqiptarë. Hulumtimi është i hapur në arkiva të dioqezave të ndryshme për të kuptuar kriteret, sigurisht jo rastësore, të shpërndarjes së emigrantëve fetarë, që shpesh porositnin vepra arti”, u shpreh Nadin.

“Dy ikonat e Skënderbeut dhe Shkodrës u bënë pjesë e miteve vetëkremtuese të Venedikut: shfaqja e tyre e pashembullt në dramë, letërsi dhe art ka dëshmuar gjallërinë e tyre gjatë shekujve, gjithmonë të ripërtërirë gjatë zhvillimit të historisë së Republikës dhe përtej. Edhe në këtë rast, kjo thekson nevojën për hulumtim të mëtejshëm”, përfundoi ajo.

Studiuesi spanjoll Jose Manuel Floristan në këtë Kuvend mbajti kumtesën me titull “Raport për Shqipërinë shkruar nga George de Oliste (Dolisti) Tassouchich dhe drejtuar Kontit të Benavente, mëkëmbës i Napolit (1607)”.

“Përshkrimi i Shqipërisë, qyteteve, maleve, lumenjve, administratës territoriale dhe banorëve të saj, si dhe mënyrës së kryerjes së kryengritjes kundër turqve osmanë të cilën populli i Shqipërisë së Veriut ia propozonte mbretit të Spanjës, Filipit III, nëpërmjet Nicolò Mechaisci, Ipeshkvi i Stefanisë”, tha ai.

“Raporti u shkrua nga George de Oliste (Dolisti) Tassouchich, një vendas nga Slano (Dalmaci), të cilin konti i Benavente, mëkëmbës i Napolit, e dërgoi në Shqipëri për të marrë kontakt me kreun e revoltës”, theksoi studiuesi spanjoll.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.