Ahmetaj: Buxheti 2022, kryefjalë paketën sociale për familjet në nevojë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot se buxheti i vitit 2022 ka kryefjalë paketën sociale për mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë.

Gjatë diskutimit nen për ne të projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2022 në seancë plenare, ministri Ahmetaj deklaroi se ekonomia shqiptare po rritet me shpejtësi, dhe sipas tij, arsyeja është kujdesi i qeverisë dhe ajo vibrancë ekonomike që kanë aktorët ekonomikë që reflektohet në rritje të eksporteve, importeve dhe konsumit.

Ahemtaj theksoi se, një nga arsyet e rritjes ekonomike është konsumi i popullatës, i cili është rritur në rekord.

“Buxheti ka disa kryefjalë, e para është paketa sociale e mbështetjes së familjes dhe qytetarëve në nevojë. Debati mund të bëhet sërish a është majftueshëm, apo jo në një moment kaq të vështirë si ai që kaloi Shqipëria, por duhet patur parasysh fakti se duke nisur nga viti që vjen borxhin duhet ta ulim. Sot përmes këtij p/buxheti dyfishohet ndihma ekonomike për familjet që kanë 3 fëmijë e më shumë, nën 18 vjeç. Po ashtu, rritet pagesa e papunësisë. Brenda paketës sociale ka disa elementë që kanë të bëjnë me fëmijët dhe rininë”, deklaroi ministri.

Ministri theksoi se, një tjetër tregues që flet për një përmirësim të situatës ekonomike është edhe rritja e kredisë.

“Situata ekonomike është shpresëdhënëse. Shumë mund t’i referohen kredisë. Kredia për herë të parë po rigjallërohet. Importi i makinerive e pajisjeve po rritet dhe vit për vit po shkon gati me 10 % rritje. Do të thotë se importi i makinerive dhe pajisjeve është vlerë e shtuar dhe se aktorët ekonomikë kanë besim tek ekonomia shqiptare, sepse shkojnë marrin kredi. Kanë besim te aktorët kryesorë ekonomik ku përfshihet mazhoranca”, tha ai.

Sipas tij, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kursimet, sepse janë rritur të ardhurat e disponueshme.

Ahmetaj bëri të ditur se pjesa tjetër e shpenzimeve të p/buxhetit është infrastruktura kritike.

“Blloku kryesor janë investimet publike. Do të investohet për tunelin e Llogorasë që lidh dy pjesë të Shqipërisë. Do të vijohet me Unazën e Madhe të Tiranës dhe përgjatë katër viteve në vijim do të investohet çdo vit rreth 45 milionë dollarë”, tha Ahmetaj.

Ministri u ndal edhe te niveli i borxhit publik në vend. Sipas tij, borxhi publik ka arritur në rreth 80 %.

“Borxhi 80 % është i lartë. U zgjerua si në 100 vende e kusur. Edhe Gjermania e ka çuar në 80 %. Rritja e borxhit publik të Shqipërisë ishte konseguencë e rënies ekonomike, pandemisë dhe tërmetit”, deklaroi ministri.

Më tej, ministri Ahmetaj u ndal te Programi i Rindërtimi, ku bëri të ditur se deri në shtator të vitit që vjen nuk do të ketë më asnjë shenjë të tërmetit të nëntorit të vitit 2019. Sipas tij, rindërtimi është një nga motorët kryesor të furnizimit të rritjes ekonomike.

Ahmetaj foli edhe për digjitalizimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

“Digjitalizimi është një nga kryefjalët e këtij buxheti. Po kalojmë në një revolucion digjital. I referohet shërbimeve publike për qytetarët dhe sipërmarrjen. Sot 94 % e shërbimeve publike janë online. Ndërkohë, po nisim një projekt me BB për të afruar digjitalizimin më shumë te qytetarët. Ka qytetarë që nuk e arrijnë dot digjitalizmin. Me anë të këtij projekti me BB, jo vetëm e çojmë digjitalizimin në një nivel të ri, por do të krijojmë tryezat tekno-digjitale, që janë sportele digjitale, ku një qytetar, i cili nuk e ka mundësinë të aksesojë vet direkt shërbimet online të shkojë te këto sportele dhe një punonjës publik do t’i shërbejë“, tha ai.

Ministri bëri të ditur se buxheti mbështet edhe sektorin bujqësor.

“Shifrat tregojnë se vëmendja ka funksionuar. Që nga viti 2013 është gati 335 % rritja e eksportit. Peshkimi ka bërë revolucion. Është koha ta mbështesim në investime në flotë që të krijojmë flotën moderne, në mënyrë që ashtu si shumë vende në 5-8 vitet që vijnë, Shqipëria do të arrijë të ketë kuotat e veta të peshkimit në BE dhe të shërbejë siç shërben sot që gjeneron të ardhura dhe përmirëson bilancin e pagesave nëpërmjet prurjeve në monedha të huaja”, u shpreh Ahmetaj.

Duke u ndalur në Paketën Fiskale që shoqëron projektbuxhetin për vitin që vjen, ministri Ahmetaj tha se ajo vazhdon të furnizojë atë logjikë politike që mazhoranca ka patur: kush fiton më shumë do të paguajë më shumë.

“Taksa progresive është një nga instrumentet më balancues të mirëmbajtjes së të ardhurave. Në aspektin politik e njerëzor kjo do të thotë se përmes taksës progresive ne kemi bërë të mundur rritjen e të ardhurave të disponueshme, duke ngarkuar me më pak taksa qytetarët. Taksa progresive u lë në xhep qytetarëve 120 milionë dollarë në vit. Në 8 vite u la më shumë se 1 miliard dollarë dhe shumica janë te qytetarët me të ardhura të ulëta. Po ashtu, taksa e biznesit të vogël është zero”, deklaroi Ahmetaj.

Nga ana tjetër Ahmetaj e ka cilësuar si një sukses të qeverisë emetimin e Eurobondit 10-vjeçar prej 650 milionë eurosh me një normë interesi 3.75 %.

“Testi kaloi me sukses. Shqipëria sërish shënoi rekord në daljen e një instrumenti afatgjatë”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.