Agjencia koordinuese, transparencë në fondet e donatorëve

TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Agjencia për Menaxhimin e Fondeve të Donatorëve rrit maksimalisht transparencën në raportin e donatorëve me qeverinë dhe me njëri-tjetrin.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “kjo agjenci nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv, por ka detyrën të realizojë një aspekt të marrëdhënies me donatorët që është koordinimi”.

“Koordinimi i donatorëve bëhet që ne të mbledhim maksimumin nga çdo qindarkë që jepet për Shqipërinë dhe jo të ndodhë që donatorë të ndryshëm të investojnë në një drejtim dhe gjendemi me gjëra të paimagjinueshme për një shtet serioz. Ne kemi trashëguar 23 strategji kombëtare të ujit dhe 78 dokumente të strategjisë në 2013, të gjitha me paratë e donatorëve. Donatorë të ndryshëm duke mos pasur një koordinim shkonin në një drejtim”, tha Rama.

I pyetur mbi tenderat publikë, Rama tha se “vetëm në Programin e Rindërtimit janë angazhuar 400 kompani private”.

“Po të shikosh pjesëmarrjen në punët që krijohen nga fondet publike, numri i kompanive është disa herë më i madh se sa ato që kishin akses në fondet publike para se ne të qeverisnim”, tha ai.

Kryeministri u pyet edhe për krimet zgjedhore, ku theksoi se “aktualisht për dosjen e Dibrës, 17 veta janë në burg”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.