Aeroporti i Sarandës dhe rruga Milot-Fier investime private, shteti jep garanci për trafikun

TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rruga Milot -Fier është financim privat, ku shteti vendos vetëm një fond garancie mbi trafikun.

I ftuar në një studio televizive, Rama iu përgjigj interesimit të analistëve mbi koncesionet e parashikuara në buxhetin 2022.

“Të gjitha këto nuk janë për shërbime. Këto nuk janë koncesione që do futen para nga buxheti i shtetit, si ato që investohet nga privati dhe shteti shlyen investimin në vite. Nuk kemi të tilla. Këto janë koncesione me paratë e privatit ku në rastin e rrugës Murriqan-Milot-Thumanë-Kashar-Rogozhinë-Fier shteti jep garanci për trafikun. Pra nëse parashikohet një trafik i caktuar dhe nuk plotësohet atëherë shteti bën një kompensim. Edhe në rastin e aeroportit të Sarandës shteti është garanti i trafikut. Por këto janë para që janë garanci risku, që do të thotë se mund të përdoren ose nuk përdoren fare, por vendosen aty si para garancie për riskun e trafikut rrugor apo ajror”, sqaroi Rama.

Ai theksoi se aeroporti i Sarandës nuk do të bëhet me koncesion si Rruga e Arbrit, por do bëhet me paratë e privatëve dhe do të menaxhohen nga privati.

“Edhe aeroporti i Sarandës edhe rruga Milot-Fier, janë investime private dhe do të jetë rrugë me pagesë në segmentin kryesor dhe rrugët e tjera pa pagesë”, tha Rama.

I pyetur mbi aeroportin e Kukësit, Kryeministri tha se “aktualisht kryhen dy fluturime në javë”. “Tani menaxhmenti i aeroportit është duke lidhur kontratat me kompanitë e interesuara, të cilat bëjnë teste. Kukësi do të jetë një aeroport i sukesshëm për Low Cost”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.