Punime në rrugët dytësore, devijohet qarkullimi në një pjesë të Unazës së Madhe

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se sot dhe nesër gjatë natës do të kryhen punime në rrugën paralele perëndimore të Unazës së Madhe, nga ura e lumit Lana deri te kryqëzimi me zgjatimin e bulevardit “Migjeni”.

Sipas ARRSH-së, në këtë segment do të devijohet trafiku prej orës 20:00 të mbrëmjes deri në orën 06:00.

“Të gjitha automjetet që do të vijnë nga ish-sheshi Shqiponja, do të devijojnë vetëm majtas me destinacion rrethin e Pallatit me Shigjeta dhe do të jenë të bllokuara të gjitha degëzimet që lidhen me këtë aks dytësor me destinacion rrugën “Tom Plezha””, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nuk do të lejohen parkimet e automjeteve në këtë aks. “Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për këto punime që po kryhen”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.