Projekt edukativ për ligjshmërinë dhe antikorrupsionin në disa shkolla në kryeqytet

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ambasadorin italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci kanë lançuar projektin për promovimin e kulturës së ligjshmërisë dhe luftës ndaj korrupsionit.

Ky projekt nisi pak muaj më parë si një bashkëpunim mes dy ministrive dhe Ambasadës italiane, me qëllim edukimin e nxënësve për parandalimin e korrupsionit dhe përhapjen e kulturës së ligjshmërisë dhe të qytetarisë.

Janë përzgjedhur 4 shkolla të mesme në Tiranë, ku organizata AVVISO Pubblico do të bëjë trajnimin për këtë projekt.

Kushi theksoi se, për MAS është e rëndësishme që nxënësit t’i pajisim me njohuri dhe aftësi për të qenë profesionistë të aftë, por edhe me vlerat më të mira të qytetarisë dhe të shoqërisë demokratike.

“Për këtë arsye, ne si Ministri mbështesim çdo iniciativë dhe projekt që na ndihmon për promovimin e këtyre vlerave tek nxënësit tanë”, u shpreh Kushi.

Sipas ministres mësimi i këtyre vlerave duhet të bëhet në një moshë sa më të hershme për shkak se edukimi është shumë më efektiv tek moshat e reja.

Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se, “duke pasur parasysh se kujt i drejtohemi, unë do të këshilloja që në materialet tona, aty ku shpjegohet edhe si luftohet korrupsioni, dhe që ne po e bëjmë fort edhe mirë, të mos kemi vetëm thirrje, ftesa, e numra, se nxënësit as do pyesin për to, por të kenë edhe pak zemër e shpirt brenda tyre, sepse mosha e tyre është pikërisht ajo e zemrës dhe shpirtit, që ne nuk duam t’i humbasin. Sepse ne e luftojmë korrupsionin me institucione, me drejtori, me mekanizma ligjorë, ata përdorin shpirtin. Ky duhet të jetë qëllimi ynë final: T’u përgatisim shpirtin dhe zemrën për të mos u korruptuar e as për të tentuar të korruptojnë”.

Ministrja Kushi falënderoi ambasadorin italian për rëndësinë që i ka dhënë këtij projekti dhe për angazhimin e tij personal dhe institucional në mënyrë që ky projekt të eci përpara, si dhe Ministrinë e Drejtësisë për punën e vazhdueshme dhe angazhimin për reformën në drejtësi.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.