DPSHTRR: Nuk ka Pit-Stop Edukativ për drejtuesit korrektë të mjeteve rrugore

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor sqaroi sot rëndësinë e risisë së Pit-Stopit Edukativ në momentin e aplikimit për rinovim lejedrejtimi.

Me anë të një reagimi DPSHTRR shpreh keqardhje për të gjithë personat që dynden për rinovimin para kohe të lejedrejtimit të tyre, nga frika absurde dhe të keqkuptuar se mos do i kapë Pit-Stopi Edukativ.

DPSHTRR bën të ditur se, “kjo risi ka shkundur edhe shumë individë që kanë vite pa e rinovuar lejedrejtimin dhe që vijonin të ngisnin mjetet rrugore me lejedrejtimi të skaduar, në kundërshtim me ligjin”.

“Nuk ka Pit-Stop Edukativ, nuk ka asnjë ndryshim procedure për drejtuesit korrektë të mjeteve rrugore! Pra për tërë ata që janë me pikë të plota dhe pa tri kundërvajtje të rënda të përsëritura në vitin e fundit paraardhës”, thekson DPSHTRR.

“Do të ketë një Pit-Stop Edukativ për këdo që sistemi i Policisë Rrugore e alerton si kontingjent përsëritës, me tri shkelje të rënda, me heqje pikësh, në vitin e fundit paraardhës! Do të ketë një Pit-Stop Edukativ për këdo që rinovon lejedrejtimin nëse ka mbi tre vjet që i ka skaduar. Nuk ka asnjë tarifë shtesë për ata që do t’i nënshtrohen Pit-Stopit Edukativ”, njofton DPSHTRR.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.