TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Shqipëria dhe Serbia shprehën angazhimin për të bashkëpunuar në panaire libri, duke inkurajuar praninë e autorëve shqiptarë dhe serbë në tregun e librit mes dy vendeve.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli zhvilloi sot një takim në Ministrinë e Kulturës dhe Informacionit të Republikës së Serbisë me përfaqësuesit kryesorë të shoqatave të shkrimtarëve, botuesve, librarëve serbë.
Takimi u përshëndet nga zv.ministri i Kulturës dhe Informacionit, Radovan Jokiç, i cili e vlerësoi tryezën si mjaft të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e librit.
Gjatë tryezës u theksua domosdoshmëria e një takimi mes botuesve të të dyja vendeve në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës dhe Informacionit të Republikës së Serbisë dhe QKLL-së.
Po ashtu, u shpreh nevoja për të qenë më të pranishëm autorët shqiptarë dhe serbë në tregun e librit mes dy vendeve, pjesëmarrja në konferenca, festivale, panaire të përbashkëta.
Ministrja e Kulturës dhe Informacionit të Serbisë, Maja Gojkovic, vlerësoi frymën e bashkëpunimit në fushën e librit, duke u shprehur se ka mirëpritur ftesën e ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, për të vizituar Shqipërinë.
/m.m/a.a/r.e/
