“Rreshtin e printe Babukari”, vjen në shqip libri i autorit italian Dozzini

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ “Rreshtin e printe Babukari” i autorit italian Giovanni Dozzini u promovua në bibliotekën e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.

Në promovimin e librit ishte i pranishëm autori i librit Giovanni Dozzini, botuesja Arlinda Dudaj, lektorja Anila Mullahi, gazetari Eno Popi, studentë të letërsisë dhe të gjuhëve të huaja, dega italisht, etj.

Romani u shpall fitues i “European Union Prize for Literature 2019” dhe tashmë vjen në shqip për lexuesit nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Gjatë promovimit të librit, studentët u njohën më tepër me shkrimtarin dhe veprën e tij përmes pyetjeve dhe diskutimeve.

“Rreshtin e printe Babukari” është një fabul pa moral, që përballon temën e emigrimeve duke zgjedhur të rrëfejë atë që vjen pas përshkimit të detit, normalitetin e pakapshëm të një jete të dinjitetshme që pason çdo zbarkim dhe gjithçka që ky normalitet përmban: frikën, dëshirat, zemërimin, mallin, duke mundur të arrijë në fund atë kumbim të veçantë poetik që kanë vetëm gjërat e vërteta.

Në roman flitet për emigracionin përmes jetës së katër personazheve, që mund të kishin qenë 4 shqiptarë në vitet ‘90.

Babukari, Osmani, Jajai dhe Roberti janë katër azilkërkues që kanë mbërritur në Itali, pasi kanë përshkuar gjysmën e Afrikës dhe Mesdheun. Qëndrojnë pezull mes shpresës që kërkesa e tyre të pranohet dhe ankthit se mos riatdhesohen. Dikush pret seancën e parë përballë Komisionit Territorial, dikush tjetër pret gjykimin në shkallën e parë në gjykatë dhe dikush ka siguruar mbrojtjen ndihmëse dhe mund të vazhdojë për pak kohë të ecë me ankthe. Një fundjavë vendosin të marrin një tren që nga Peruxhia do t’i çojë drejt detit Adriatik. Destinacioni është plazhi i Falkonara Maritimës dhe udhëtimi rrokjezohet nga takimet, nga fiksimet e secilit dhe nga marrëdhënia e luhatshme në gjuhën italiane.

Janë 48 orë ngjarjesh të vogla: gjoba, strehime të përkohshme, vizione, finalja e Evropianit të futbollit, ndonjë grindje, dy ditë gjatë të cilave katër shokët do të jenë gjithnjë duke ecur në rresht për një përgjatë rrugëve të provincës së Italisë Qendrore.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.