Ndryshimet në Paketën Fiskale 2022

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Rritja e akcizës së gazit për përdorim nga konsumatori familjar do të aplikohet më 1 korrik dhe jo më 1 janar siç u propozua në fillim në Paketën Fiskale nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Ky ndryshim është miratuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave gjatë diskutimit nen për nen të Paketës Fiskale që do të zbatohet në vitin 2022 dhe do të kalojë për miratim edhe në seancën plenare të së enjtes.

“Unifikimit i çmimit të gazit me 6 lekë/litër për të gjithë përdoruesit do të fillojë të aplikohet nga data 1 korrik 2022. Ky ndryshim erdhi pas ngritjes së shqetësimit nga industria prodhuese në vend por edhe nga konsumatori familjar”, tha kreu i Komisionit, Eduard Shalsi.

Po ashtu, Komisioni miratoi edhe vendosjen e taksës në masën 40 lekë/litër për lëndën djegëse të përdorur si karburant për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për aktivitetet e turizmit detar, me destinacion përdorimi jashtë ujërave territoriale shqiptare.

Kjo taksë ishte propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në masën 60 lekë për litër.

“Pas një seance dëgjimore me grupin e interesit dhe pasi pamë se çfarë ofron rajoni vendosëm të ndryshonim nivelin e taksës, duke e zbritur në 40 lekë për litër”, tha kreu i Komisionit, Eduard Shalsi.

Në ligjin “Për taksat kombëtare” u miratua vendosja e taksës kombëtare për qumështin pluhur (100 lekë/kg), për hirrë qumështi (150 lekë/litër), për pijet e homogjenizuara (16 lekë/litër) dhe për krem qumështi (150 lekë/ litër), taksa këto të vendosura me fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Ndërkohë për të mos cenuar prodhimin vendas nga këto taksa u përjashtuan fabrikat e prodhimit të qumështit, të cilat kanë të evidentuar në etiketën e miratuar nga AKU sasinë në % të këtyre produkteve që janë trupëzuar në produktit përfundimtar.

Ndër ndryshimet e miratuara në komision në ligjin ““Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, ishte heqja e përjashtimi nga TVSh-ja i inputeve bujqësore (plehrat kimik, pesticidet, farat dhe fidanët) dhe vendosja e një shkalle të reduktuar të TVSh-së në masën 10%.

U hoq përjashtimi nga TVSh-ja në import, për importin e makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, si dhe u hoq skema e kompensimit të prodhuesit bujqësor duke kaluar nga shkalla e reduktuar 6 % në 0 %.

Ndër ndryshimet e miratuara në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, u vendos rritja e pagës dysheme të patatueshme për të ardhurat për pagat deri në 40,000 lekë/muaj.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.