Ndërtim pa leje në zonën e llixhave, arrestohet ish-kryeinspektori në Elbasan

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka finalizuar operacionin policor të koduar “Llixha” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e ndërtimeve pa leje, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

“Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar  në flagrancë, për shpërdorim detyre, ish-kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan dhe 1 shtetas që ndërtonte pa leje një objekt prej 1200 metër katror në zonën e llixhave, Elbasan. Gjithashtu është proceduar penalisht dhe një inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan”, informon Policia.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, “në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. Q., 38 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan dhe N. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndërtonte pa leje”.

“Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. Z., 34 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë inspektor në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes të Territorit, bashkia Elbasan”, bën të ditur Policia.

“Nga hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik–Financiar në DVP Elbasan, në lidhje me një ndërtim pa leje në sipërfaqe të madhe ndërtimore në zonën e llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan, është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e institucioneve shtetërore, kryesisht të Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan”, vijon njoftimi i Policisë.

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me këtë rast ka rezultuar se në muajin janar dhe shkurt 2021 të jetë bërë ndërtim pa leje me sipërfaqe 1200 m katror, në dy kate, nga shtetasi N. K., në vendin e quajtur “Llixha”, dhe në vijim të jetë aplikuar për legalizim tek AKSH. Po nga hetimet dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre, shtetasit M. Q. dhe A. Z., të kenë favorizuar këtë shtetas për të kryer ndërtimin pa leje”, shton Policia.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.