Mbyllet qendra e vaksinimit masiv në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Shërbimi i vaksinimit pranë pikës së përqendruar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të transferohet pranë qendrave shëndetësore, si dhe pikës së vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, “duke filluar nga dita e enjte, datë 25 nëntor, ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve do të jetë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në stadiumin “Air Albania”, aty ku do të vijojë çdo ditë vaksinimi anti-COVID”.

MSHMS apelon qytetarët të kontaktojnë mjekun e familjes për të kryer vaksinën anti-COVID.

Vaksinimi anti-COVID është i hapur për fëmijët 12-15 vjeç me frenim të imunitetit si dhe  për çdo qytetar mbi 16 vjeç. Aktualisht po kryhet edhe doza e tretë e vaksinës sipas rekomandimit të mjekut të familjes.

Prej fillimit të vaksinimit në vendin tonë janë kryer në total 2,050,342 doza të vaksinës kundër COVID-19.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.