Komisioni për impiantet e mbetjeve, Tabaku: Institucionet 5 ditë afat të përgjigjen ose kallëzim

TIRANË 23 nëntor /ATSH-I.Vata/ Komisioni Hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane, nën drejtimin e kryetares Jorida Tabaku, ka administruar përgjigjet e ardhura nga institucionet bankare si dhe ka lënë afat 5 ditë për institucionet që nuk i janë përgjigjur kërkesës për të sjellë informacion.

Pas debateve për thirrjen e dëshmitarëve, nënkryetarja e komisionit Ermonela Felaj u shpreh se, personi nën hetim sipas Kodit të Procedurës Penale ka të njëjta të drejta dhe detyrime si dhe personi që merret i pandehur, gjë që nuk mund të ndodhë në komision hetimor. Pra që do të thotë se personat që thërrasim pavarësish se i konsiderojmë dëshmitarë ata nuk do munden si në gjykatë apo prokurori të sjellin mbrojtës, sepse ligji për komisionet hetimore nuk ua jep atë të drejtë atyre personave”.

“Ju na kundërviheni ne për përgjigjet që kanë dhënë bankat, por në fakt s’kemi përgjigje për t’ju dhënë se si janë përgjigjur bankat. Bankat kanë dhënë një përgjigje nga bankat dhe është përgjigje e tyre”, tha ajo.

Nga ana e tij, deputeti i PD-së, Edmond Spaho u shpreh se duhet të bëjmë kërkesën dhe të caktojmë ligjet për përgjigjen që duhet të na japin dhe ata të përgjigjen si të duan sepse ata janë përgjegjës para ligjit.

Deputeti i PS-së, Etjen Xhafaj u shpreh se “më që jemi duke ju referuar ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore nenin 2, pika 2, thotë se dëshmitarë është personi i thirrur në komision mbi ngjarje që ai apo ajo dimë, si objekt i hetimit. Neni 3 ka dy pika qoftë në përputhshmërinë me Kushtetutën qoftë me lidhje që përbën objektin e hetimit dhe sigurisht që është edhe pika 4 që thotë se komisioni nuk mund të ngre akuza penale”.

Nga ana e saj, Tabaku tha se “do i rinisim edhe një herë kërkesë të gjitha bankave të nivelit të dytë që nuk kanë kthyer përgjigje, dhe të gjithë atyre bankave që kanë refuzuar të sjellin përgjigje, sepse behet fjalë për para publike dhe askush nuk na ndalon të hetojmë”.

Duke iu përgjigjur Tabakut, Felaj u shpreh se “ne pritëm për administrimin e përgjigjeve, duke administruar përgjigjet e ardhura mund të jemi më të qartë në vijimin e procesit të punës së komisionit”.

Ndërsa deputeti i PS-së Besian Ajazi ka kërkuar sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vënien në dispozicion të Komisionit për hyrje-daljet e shtetasit Lulzim Basha gjatë viteve 2017-2018, pasi prej ditësh në media janë hedhur dyshime se shtetasi Lulzim Basha ka udhëtuar dy herë në të njëjtin itinerar Tiranë-Romë (transit)-Amsterdam dhe në të njëjtin avion me shtetasin Klodian Zoto.

Kryetarja Tabaku bëri prezent institucionet që kanë kthyer përgjigje pranë komisionit.

Nënkryetarja e komisionit, Felaj propozoi t’i lihet detyrë sekretarisë dhe një kopje ta kenë të gjithë anëtarët e komisionit.

Tabaku pasi informoi komisionin për kthimin e përgjigjeve nga disa banka dhe institucione shtetëror, po ashtu la detyrë që të dërgohet shkresë institucioneve me afat 5-ditor dhe nëse nuk respektojnë afatet do të bëhet kallëzim penal për shpërdorim detyre.

“Për të gjitha çështjet që diskutuam sekretariati do t’i përkthejë në shkresa dhe do ju nisen institucionit”, tha ajo.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, Felaj propozoi për specialist Eridian Salianjin.

Ndërsa Tabaku tha se, “Marash Loku nga PD mund të jetë specialist i komisionit, por pa pagesë sepse do ta bëjë këtë si pjesë e punës funksionale në parlament. Ndërkohë do të kemi një emër tjetër për specialist”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.