Komisioni hetimor për mbetjet, Tabaku 6 kërkesa për informacion

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Komisionit Hetimor për impiantet e përpunimit të mbetjeve, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, i ka drejtuar kërkesa përkatëse institucioneve SPAK, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, deputetit Petrit Vasili dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, në lidhje me hetimin.

Në kërkesën për informacion drejtuar drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja thuhet se Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar tre kallëzime penale lidhur me tre impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane (inceneratorët) të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Tabaku shtron pyetjet nëse është regjistruar procedimi penal për secilën për këto tre kallëzime dhe se cilat janë veprimet hetimore të kryera deri më tani.

Në kërkesat për informacion drejtuar Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria së Financave dhe Ekonomisë, kërkohet vënia në dispozicion i një informacioni të plotë dhe të detajuar lidhur me të gjitha hyrjet që rezultojnë nga regjistri i institucionit përkatës të shtetasve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Në kërkesën për informacion drejtuar deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Petrit Vasili kërkohet vënia në dispozicion e çdo të dhëne, dokumenti apo informacioni që disponon lidhur me tre impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane (inceneratorët) në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Në kërkesën për informacion drejtuar Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, kërkohet vënia në dispozicion e praktikës së plotë, përfshirë, por pa u kufizuar në, shkresa, kërkesa, ankesa, njoftime, shpallje, procesverbale, korrespondenca, kopje të faqeve të protokollit, raporte dhe çdo dokument tjetër që disponohet nga ana e institucionit lidhur me tre impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane (inceneratorit) të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

“Afati për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar është 5 ditë nga marrja e kësaj kërkese nga ana e institucioneve të lartpërmendura”, thuhet në njoftimin e kryetares së komisionit hetimor për impiantet e përpunimit të mbetjeve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.