Bashkëpunim me shkollat në luftën dhe parandalimin e korrupsionit

TIRANË 23 nëntor /ATSH-I.Vata/ Në kuadër të një iniciative për të promovuar bashkëpunimin me shkollat parauniversitare në luftën dhe parandalimin ndaj korrupsionit, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja zhvilloi sot një takim me nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa”.

Manja shprehet se, qëllimi ynë të parandalojmë korrupsionin dhe të përgatitja e shpirtit dhe zemrës për të mos u korruptuar.

“Kisha një qasje më ndryshe se zakonisht, sepse e mendoj ndryshe qasjen që duhet të kemi tek kjo moshë. Qëllimi ynë final duhet të jetë përgatitja e shpirtit dhe zemrës për të mos u korruptuar, e as për të tentuar të korruptojnë”, shprehet ai.

“Një falenderim edhe Evisit dhe Ambasadës italiane për iniciativën, por unë dua të flas vetëm me ju në fakt, mësues dhe nxënës, sepse antikorrupsioni nuk nis në fakt nga ne që bëjmë shkresa, që bëjmë hetime, që ndërtojmë strategji, broshura e materiale të tjera. Nis në fakt këtu, në bankat e shkollës. Ne thjeshtë materializojmë atë që ju e shihni përditë, e jetoni përditë. Nëse ju mësues të nderuar, i privoni nxënësit nga e vërteta, nga prova, nga e qeshura, nga çapkënllëqet; nëse ju u mpakni besimin në vetvete, besimin në ëndrra, besimin se mund të arrijnë gjithçka; nëse ju i privoni nga mundi i tyre, e as i shpërbleni me notën që meritojnë, u kërkoni të tradhtojnë besimin e njëri-tjetrit, i shtyni në krijime grupesh interesi që s’kanë lidhje me edukimin e tyre; ky është korruptim i karakterit dhe për mua është më i rëndi, sepse këta djem e vajza nesër do të drejtojnë vendin. Përpiquni t’u mësoni atyre jo vetëm lëndët, por edhe jetën, që të bëhen burra e gra me dinjitet, me integritet; ndoshta edhe të rreptë, por gjithmonë të drejtë”, tha ai.

Manja shtoi se “për nxënësit kam vetëm pak fjalë, sepse e di që nuk i kanë me shumë qejf këto takimet tona. Do t’u këshilloja një gjë: të mos e thyejnë kurrë besimin e shokut apo shoqes; të mos e shesin kurrë shokun dhe shoqen për një përfitim, çfarëdo përfitimi qoftë ai. Qëndroni të fortë, qëndroni dinjitoz. Asnjë notë nuk vlen sa integriteti juaj, mos e harroni këtë. Nëse diku do të keni dyshime, udhëkryqe, stepje, kujtoni emrat që kanë dalë apo kanë kontribuar në këtë shkollë, ku ju sot studioni. Dhe kjo jam i sigurt do t’u japë forcë për të mos u lëkundur. Besoni në veten tuaj dhe kurrë mos tentoni të merrni atë që nuk e meritoni”.

“Unë do të këshilloja që në materialet tona, aty ku shpjegohet edhe si luftohet korrupsioni, dhe që ne po e bëjmë fort edhe mirë; të mos kemi vetëm thirrje, ftesa e numra, se nxënësit as do pyesin për to, por të kenë edhe pak zemër e shpirt brenda tyre, sepse mosha e tyre është pikërisht ajo e zemrës dhe shpirtit, që ne nuk duam t’i humbasin. Sepse ne e luftojmë korrupsionin me institucione, me drejtori, me mekanizma ligjorë, ata përdorin shpirtin. Ky duhet të jetë qëllimi ynë final: T’u përgatisim shpirtin dhe zemrën për të mos u korruptuar e as për të tentuar të korruptojnë”, tha Manja.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.