Ambasadori britanik: Marrëdhëniet me Kosovën të shkëlqyera

PRISHTINË, 23 nëntor /ATSH/ Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka thënë se marrëdhëniet me Kosovën janë të shkëlqyera dhe me themele të forta, të cilat sipas tij nuk do të ndryshojnë.

Pas takimit me Komisionin për Punë të Jashtme, diplomati britanik, tha se ndërmjet dy vendeve ka ende punë për tu bërë dhe duhet thellim të marrëdhënieve bilaterale.

“Ne kemi pasur një rast të mirë për të biseduar, jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por gjithashtu edhe të flasim më gjerësisht për çështjet në rajon dhe padyshim për të ardhmen e Kosovës brenda Evropës. Kemi një marrëdhënie të shkëlqyeshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës. Ka themele të forta, që nuk ndryshojnë. Ndërsa ecim përpara duke dalë nga kjo pandemi, mendoj se ka gjithashtu mundësi për të bërë më shumë dhe për të punuar në fusha të ndryshme. Kështu që unë jam mirënjohës për mundësinë sot, duke qenë në gjendje të flas për këtë, me anëtarët, dhe mezi pres të punoj me ta në të ardhmen për të zhvilluar këto ide, në mënyrë që edhe marrëdhëniet të përmirësohen muaj pas muaj”, tha ai.

Takimin kryetari i komisionit, Haki Abazi e quajti të pasur për thellim të bashkëpunimit të dy vendeve.

“Ishte një diskutim jashtëzakonisht i pasur për çështje të marrëdhënieve bilaterale. Me kujdes dëgjuam ambasadorin për pikëpamjet e tij dhe të Britanisë së Madhe për zhvillimet në rajon. Sigurisht bashkëpunimi rajonal, çështja e integrimit të Kosovës në BE, liberalizimi i vizave si dhe pjesët specifike të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe të Britanisë së Madhe. Normalisht të ndërtuara me një themel të fuqishëm të ndihmës dhe përkrahjes që nga 1999 që ka bërë Britania në Kosovë”, tha ai.

Komisioni për Punë të Jashtme vazhdimisht është duke mbajtur takime me përfaqësues diplomatik të aleatëve ndërkombëtar të Kosovës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.