Regjistrimi i adresës së banimit në e-Albania ose në zyrat e Gjendjes Civile

Regjistri Kombëtar i Adresave do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të gjithë shtetasit, institucionet publike dhe bizneset 

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Regjistrimi i adresës së banimit sjell përfitime dhe akses në shërbimet publike.

Në takimin që u organizua sot në Tiranë, nën logon “Adresa ime”, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për regjistrimin e saktë të adresave, merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha institucionet e linjës që koordinojnë punën për zbatimin e këtij procesi.

Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi tha në këtë takim se, “ky proces ka krijuar probleme që pas vitit ’90, e lidhur kjo me të gjitha ndryshimet demografike, ndërtimet pa leje, lëvizjet nga fshati në qytete, të pa kontrolluara, duke krijuar si sistem kaotik të sistemit të adresave. Ndërsa sot ne e kemi rregulluar këtë problematikë, duke krijuar regjistrin kombëtar të adresave dhe kemi filluar disiplinimin e adresave për të gjithë shqiptarët. Në bashkëpunim edhe me OSHEE kemi evidentuar çdo ndërtesë në Shqipëri dhe i kemi vendosur një adresë e cila është gjeneruar si rezultat i një sistemi unik të krijuar dhe tani duhet që këtij sistemi adresash të vendosur në hartë digjitale, të cilës ne duhet t’i bashkëngjisim shtetasit”.

Çuçi tha se, sot numërohen 750 mijë familje që e kanë një adresë të saktë e cila ka 8 komponentë.

“Mirëpo jemi ende larg, pasi të gjithë shtetasit që janë regjistruar në regjistrim kombëtar të shtetasve, duhet ta kenë një adresë të tillë. Pasi sot vëmë re në dokumentet e ndryshme zyrtare, gjejmë ende adresa me emrin rruga “Pallati Jeshil”, apo rruga te “Brryli” pra ende sot nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë proces. Ndaj kemi nisur këtë proces dhe do t’i vëmë pikë këtij problemi, që çdo shqiptar të identifikohet me një adresë me 8 elementë dhe për këtë duhet të përfshihen zyrat e gjendjes civile, bashkitë dhe qytetarët që të saktësojnë vetë adresat e tyre”, tha ai.

Për këtë qëllim kemi vendosur sistemin e verifikimit të çdo adrese për çdo shqiptar nëpërmjet portalit e-Albania.

“Çdo shqiptar mund ta verifikojë dhe të vetëdeklarojë adresën e saktë online në “e-Albania” ose fizikisht në zyrat e Gjendjes Civile pranë bashkisë ku banon. Është një proces shumë i thjeshtë dhe portalit e-Albania në këtë rast i shtohet edhe një shërbim tjetër në dobi të qytetarëve, ai i regjistrimit të adresave, që bëhet vetë nga qytetarët”, theksoi Çuçi.

Ai deklaroi se, Regjistri Kombëtar i Adresave do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të gjithë shtetasit, institucionet publike dhe bizneset”.

Ministri bëri apel që bashkitë të nxisin qytetarët që të deklarojnë dhe verifikojnë adresën e tyre të banimit si një element i rëndësishëm për marrjen e shërbime, nga atë financiare, deri deri tek shërbimit publike, mbrojtjes nga zjarri, apo shëndetësore.

“Nuk do ta marrë më certifikatën nëse qytetari nuk konfirmon adresën sipas sistemit unik. Kështu do ta shtrimë edhe për shërbime të tjera këtë detyrim, sepse ky proces i rëndësishëm i marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetin të përfundojë. Ndërkohë që pasi të jenë saktësuar adresa do të lidhet me regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe në certifikatë do të ketë adresën e saktë çdo shtetas shqiptar”, tha ministri.

Çuçi theksoi se, çdo shtetas shqiptar identifikohet sot lehtësisht me këtë adresë.

Ndërsa bëri apel që qytetarët t’i kushtojnë vetëm dy minuta kohë për të vendosur një marrëdhënie korrekte, për të kryer një detyrim qytetar që të saktësojë adresën e tij atje ku banojnë.

Veliaj: Fushatë sensibilizimi në Tiranë për regjistrimin e adresës 

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij tha se Tirana do të nisë një fushatë regjistrimi. Veliaj vuri theksin te rëndësia e regjistrimit të adresës së banimit, që u kuptua sidomos gjatë tërmetit apo pandemisë, ku njerëzit kishin nevojë për ndihmë.

“Të 61 kryetarët e bashkive të Shqipërisë duhet të jemi agjentë të propagandës dhe të marketimit të këtij sistemi jashtëzakonisht të thjeshtë. Regjistrimi i saktë i adresave do të na ndihmonte shumë për të gjithë qytetarët sidomos në këto dy vite me tërmetin, me pandeminë, ku kemi kuptuar sa e rëndësishme është të gjejmë njeri-tjetrin. Ne dinim që kishte të moshuar që ishin në gjendje të vështirë ekonomike, që kishin nevojë për t’u çuar një kuti ushqimesh dhe vullnetarët tanë në pjesën më të madhe harxhonin kohë vetëm për të gjetur adresën”, theksoi Veliaj.

Më tej kryebashkiaku shtoi, duke sqaruar se si do të bëhet fushata e sensibilizimit për regjistrimin e adresave në kryeqytet.

“Ne në Tiranë duam të shfrytëzojmë të gjithë këtë muaj duke qenë se është muaji i festave, ku shumica e njerëzve janë në shtëpi dhe të bëjmë një fushatë sensibilizimi. Do t’i çojmë një letër të personalizuar çdo familjeje, e cila pastaj do duhet të na përkthehet në një adresë. Ndaj kërkoj që ne mobilizohemi në një fushatë që i kërkojmë gjithë qytetarëve që të bëjnë vetëm këtë verifikim. Nëse më përpara batuta ishte: “Lëvizni se po na numërojnë”, tani është: “Mos lëvizni sa të numëroheni të gjithë”, që të kemi mundësinë të dimë ku jemi dhe të marrim shërbimet që i meritojmë të gjithë”, tha Veliaj.

Regjistrimi i adresës së banimit sjell përfitime dhe akses për gjithë shërbimet publike.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.