Truri, një nga shënjestrat kryesore të virusit SarsCov2

ROMË, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Edhe pse në fazën e parë të sëmundjes dhe gjatë një shtrimi të mundshëm në spital, simptomat nga COVID-19 janë, në fakt, kryesisht respiratore dhe metabolike, pasi kalohet faza akute, pasojat janë kryesisht neurologjike, sipas të dhënave të një studimi “COVID Next”, i botuar në revistën Neurological Sciences.

Këto të dhëna i shtohen kërkimeve të shumta që kanë vëzhguar sesi sindroma neurologjike post-Covid mund të prekë deri në 70 për qind të pacientëve, të cilët kanë pasur simptoma mesatare të rënda, duke lënë çrregullime të kujtesës, përqendrimit, gjumit dhe humorit.

Vështirësitë neurologjike pas COVID-19 mund të varen pjesërisht edhe nga ndryshimet në morfologjinë e trurit, si një efekt i drejtpërdrejtë i virusit te pacientët e infektuar, të cilët, shpesh, iu nënshtruan një reduktimi të vëllimit në zonat kryesore të trurit.

Megjithatë, mungesa e ndërveprimeve sociale ka çuar, gjithashtu, në një reduktim të lëndës gri në veçanti te të rinjtë dhe të moshuarit, me një rritje për disa nga mundësitë e zhvillimit të varësive dhe për të tjerët të përshpejtimit të përkeqësimit të aftësisë njohëse.

“Të dhënat nga studimi COVID Next, të marra në 165 pacientë të shtruar me COVID-19 të ashpërsisë mesatare deri në të lartë, tregojnë se ndërsa simptomat e frymëmarrjes dhe ato metabolike arrijnë kulmin gjatë shtrimit në spital dhe tentojnë të zvogëlohen dhe stabilizohen pasi largohen nga spitali, çrregullimet neurologjike dhe psikiatrike kanë një tendencë të kundërt dhe fillojnë të rriten, sapo të zgjidhet faza akute e infeksionit”, shpjegon Alessandro Padovani, president i zgjedhur i Shoqatës Italiane të Neurologjisë dhe drejtues i studimit.

Ka të paktën një korrelacion të pjesshëm me ashpërsinë e COVID-19: deri në 70 për qind e pacientëve me sëmundje të moderuar deri në të rëndë raportojnë simptoma neurologjike gjashtë muaj më vonë, përfshirë lodhjen kronike (34%), shqetësimet e kujtesës/përqendrimit (32%), gjumin (31%), dhimbjet e muskujve (30%) dhe depresionin dhe ankthin (27%).

Megjithatë, këto probleme shpesh shfaqen edhe tek ata që kanë pasur një sëmundje të lehtë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.