Policia Bashkiake gjobit makinat luksoze në Tiranë, Veliaj: Zero tolerancë

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Policia Bashkiake në Tiranë ka vijuar aksionin e ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve në kryeqytet të cilët parkojnë në kundërshtim me sinjalistikën, mbi trotuare apo në vende të rezervuara për invalidët.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj publikoi foto ku duket se pavarësisht faktit nëse automjetet që kanë parkuar në kundërshtim me sinjalistikën janë të viteve të fundit dhe të shtrenjta, pronarët e tyre nuk kanë qenë imun ndaj Policisë Bashkiake e cila kërkon që të disiplinojë qarkullimin e tyre në rrugët brenda qytetit të Tiranës për të garantuar hapësirat e nevojshme për të gjithë qytetarët.

“Ferrari kush? Lamborghini i kujt? Zero tolerancë nga Policia Tiranë! Ndërtojmë qytet për njerëzit, jo makinat! Është mjet transporti, jo gomar që e plas kudo”, shkruan Veliaj.

Policia Bashkiake ka kontribuar edhe në respektimin e normave të qarkullimit dhe në mbajtjen hapur të korsive të emergjencave të dedikuara për zjarrfikëset, autobusët apo për ambulancat.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.