Kontroll teknik më cilësor, bie numri i aksidenteve nga të rinjtë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se kontrolli teknik më cilësor i mjeteve, edukimi më profesional nga autoshkollat dhe testimet më të përgjegjshme nga komisionet ka ndikuar në uljen e aksidenteve rrugore.

“Edhe pse kemi rreth 110 mijë mjete rrugore më shumë, të regjistruara gjatë 2020-ës dhe 2021-shit si edhe 120 mijë drejtues mjeti më shumë që kanë marrë lejedrejtimi për herë të parë në këto 22 muaj, kemi ulje të numrit të aksidenteve rrugore me pasoja dhe ulje të fataliteteve”, bën të ditur DPSHTRR.

Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT treguan rënie të aksidenteve nga drejtuesit e mjeteve të moshës deri 24 vjeç dhe shumë më pak aksidente nga drejtues mjeti të moshave 25 deri 34 vjeç.

Por statistikat sinjalizojnë rritje fatalitetesh nga pakujdesia e këmbësorëve në kalimin e karrexhatave, tregues që kërkon punë me ndërgjegjësimin, infrastrukturën e sinjalistikën rrugore, edukimin dhe kujdesin me këtë kategori vulnerable. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.