DPSHTRR: Mjetet rrugore jashtë normave, nuk do të regjistrohen

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor nis verifikimin homologues përmes platformave informatike që plotësojnë të gjitha kërkesat për verifikimin e kategorisë mjedisore dhe të treguesve teknik të mjeteve rrugore, të certifikuara me ISO/IEC 27001:2013, (Information Security Management Standard).

Sipas DPSHTRR-së, një nga databazat që do të përdoret është e certifikuar nga kompania prestigjioze gjermane TÜV Rheinland, me një eksperiencë 150 vjeçare në tregun global sa i takon certifikimit (e akredituar nga Deutsche Akkreditierungsstelle (DAkkS), organi kombëtar i akreditimit të Republikës Federale të Gjermanisë, anëtare e Forumit Ndërkombëtar të Akreditimit (IAF).

Duke filluar nga nëntori 2021, DPSHTRR informon se do të verifikojë zyrtarisht jo vetëm kategorinë mjedisore, por edhe për tregues të tjerë teknik të mjeteve rrugore që importohen për herë të parë Shqipëri (të përdorura ose me km 0/të reja).

DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve të mos importojnë më mjete rrugore jashtë normave, sepse nuk do të mund të regjistrohen apo targohen dot më.

“Sektori i verifikimit të specializuar pranë DPSHTRR ka refuzuar 298 mjete rrugore pasi nuk plotësojnë kategorinë mjedisore të përcaktuar në vendimin e Këshillit të ministrave nr. 633”. Mashtrimet me mjetet rrugore të palejueshme për regjistrim dëmtojnë tregun vendas të shitje-blerjes, cenojnë konkurrencën dhe rrisin nivelet ndotëse të Flotës Shqiptare , bën të ditur DPSHTRR. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.