Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, Meta: Të merren nisma konkrete ligjore

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, presidenti Ilir Meta përmes një mesazhi nxit të gjithë aktorët institucionalë të ndërmarrin nisma konkrete ligjore që garantojnë për çdo fëmijë shqiptar të drejtën e jetës.

“I nxis të gjithë aktorët institucionalë të ndërmarrin nisma konkrete ligjore, që garantojnë për çdo fëmijë shqiptar të drejtën e jetës, si e drejtë e patjetërsueshme, mbrojtjen e shëndetit dhe nga çdo forme abuzimi, edukim dhe arsim cilësor, si dhe një fëmijëri të lumtur dhe të sigurt, për të jetuar të lirë në një shoqëri në paqe, ku mbizotërojnë vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Meta po ashtu inkurajon Kuvendin dhe çdo deputet, për të miratuar nismat e duhura, në veçanti për mbrojtjen dhe parandalimin e abuzimeve dhe krimeve ndaj fëmijëve, duke parashikuar ndëshkimin më të ashpër ligjor.

“U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të zbatojnë me rigorozitet kuadrin ligjor në fuqi, duke mundësuar zbatimin e programeve konkrete për garantimin e mirëqenies dhe të një mjedisi të sigurt për çdo fëmijë”, tha Meta.

Meta u shpreh se asnjë fëmijë shqiptar nuk meriton të përjetojë ndjenjën e frikës apo dhunës.

“Është detyra e të gjithëve t’i mbrojmë, që të rriten të shëndetshëm, të sigurt dhe të mirëedukuar. Një fëmijëri e lumtur, është bazë për një shoqëri të shëndoshë dhe plotësisht europiane në të ardhmen”, deklaroi Presidenti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.