Prurjet natyrore në lumin Drin më të ulëtat në 10 vitet e fundit

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Prurjet natyrore në lumin Drin gjatë këtij 3-mujori ishin më të ulëtat në 10 vitet e fundit.

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bën të ditur se për periudhën shtator-nëntor prurjet rezultuan 93 m3/s, nga 195 m3/s që është mesatarja 10-vjeçare.

Në fillim të muajit tetor, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, me efekte që shtrihen deri më 15 prill 2022.

Sipas vendimit të miratuar në Këshillin e Ministrave thuhet se Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Më herët gjatë një deklarate për mediet Kryeministri Edi Rama deklaroi se kriza energjetike do të ketë kulmin e saj në mesin e vitit ë ardhshëm, ndërsa shtoi se situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative.

Pavarësisht krizës, qeveria ka deklaruar se nuk do të rrisë çmimin e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël.

Për të siguruar furnizimin pa ndërprerje me energji, qeveria vendosi 10 miliardë lekë në dispozicion të sektorit energjetik në formën e garancisë sovrane, për të mbrojtur fashën e abonentëve familjarë dhe biznesit të vogël.

Në shtratin e lumit Drin janë të ndërtuara hidrocentralet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës me kapacitet të instaluar rreth 1400  MW, nga të cilët, tre të parët janë nën administrimin e KESH-it.

HEC-i i Fierzës filloi punën më 1978 dhe ka një fuqi të instaluar prej 500 MW (4 X 125 MW). HEC-i i Komanit u vu në shfrytëzim në vitin 1985 me fuqi të instaluar prej 600 MW (4 X 150 MW). HEC-i i Vaut të Dejës u vu në shfrytëzim në 1971 me një fuqi të instaluar prej 250 MW (5 X 50 MW).

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.