FAO rekomandon mbi përdorimin e antibiotikëve në mënyrë efektive në prodhimin e qumështit
TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Praktikat e drejta në blegtori mund të zvogëlojnë ndjeshëm nevojën për përdorim të antibiotikëve dhe rrjedhimisht kërcënimin ndaj rezistencës antimikrobike (AMR).
Për këtë qëllim, një botim i FAO-s ofron këshilla praktike për blegtorinë për përmirësimin e shëndetit të kafshëve dhe si rrjedhojë kufizimin e përdorimit të antibiotikëve. Botimi në përkon me fillimin e Javës Botërore të Ndërgjegjësimit Antimikrobik.
Publikimi është vazhdimi i një serie botimesh në ndihmë të blegtorëve (mbi shpendët, derra dhe lopë qumështi) si dhe jep rekomandime praktike për përdorim të kujdesshëm antimikrobik.
Mjekimet antimikrobike, veçanërisht me antibiotikë, u zhvilluan për të kuruar infeksionet bakteriale si te kafshët ashtu edhe te njerëzit. Megjithatë, përdorimi jo i duhur i tyre (përsa i përket marrjes së panevojshme të një ilaçi, një doze më tepërt sesa duhet, apo edhe i gabuar si mjet për parandalimin e sëmundjeve) mund të çojë në një situatë ku këto substanca ndalojnë së funksionuari. Kjo quhet rezistencë antimikrobike.
Nën moton “Trajtoni antimikrobikët me kujdes”, FAO, Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëjnë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen javës mbarëbotërore të ndërgjegjësimit dhe të bëhen kampionë të rezistencës antimikrobike.
Në nivel global, antibiotikët përdoren më shumë te bagëtitë sesa te njerëzit. Meqenëse bakteret rezistente mund të lëvizin nga bagëtia te njerëzit përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose ushqimit, interesi ynë i përbashkët është të kufizojmë përdorimin e antibiotikëve në blegtori për të pakësuar shfaqjen e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve edhe te njerëzit.
“Në këto botime, ne rekomandojmë tre masa kryesore për të parandaluar sëmundjet infektive në një fermë: mbajtjen e mire, higjienën e kafshëve si baza për kafshë të fuqishme dhe të shëndetshme; biosiguri efektive si një filtër për të mbajtur sëmundjet jashtë portave të fermës; dhe vaksinat për të mbrojtur kafshët kundër sëmundjeve specifike,” komentoi Eran Raizman, ekspert i lartë i shëndetit të kafshëve në FAO.
Në praktikë, në rastin e fermave të prodhimit të qumështit, kërkohet vëmendje për sasinë dhe cilësinë e ushqimit, shëndetin e lopëve, kujdesin e mirë të viçave, rutinën e mjeljes, përdorimin e fekondimit artificial, karantinimin për kafshët e reja, si dhe vaksinimin për sëmundjet që janë të pranishme në atë rajon.
Disa nga masat e parandalimit të sëmundjeve të publikuara në botim kërkojnë investime dhe kosto shtesë, ndërsa të tjerat bazohen në përmirësimin e aftësive të menaxhimit. Shumë prej tyre do të rrisin të ardhurat si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.
“Fermerët që zgjedhin përdorimin e ulët të antibiotikëve tek kafshët mund të kenë akses në më shumë tregje me cilësi të lartë dhe me çmime më të mira”, shtoi Raizman.
Por pyetja mbetet: Si dhe kur të përdorim antibiotikët?
Trajtimi me antibiotikë mund të jetë i nevojshëm kur një kafshë ose një grup kafshësh sëmuret pavarësisht masave për parandalimin e sëmundjes, dhe një specialist i trajnuar i shëndetit të kafshëve përshkruan ilaçe të tilla pas një diagnoze. Antibiotikët nuk mund të kurojnë infeksionet virale që shpesh shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes dhe diarre. Gjithashtu, trajtimi duhet të synojë vetëm kafshën e sëmurë dhe duhet të shmanget praktika e përzierjes së ilaçit me ushqimin e kafshëve, ose ujin ku mund të shkojnë shumë kafshë.
Këshillat të publikuara në serinë e botimeve për përdorimin e antibiotikëve në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme në fermat blegtorale, shpendët dhe derri bazohen në qasje të provuara që janë testuar me sukses tek shëndeti i kafshëve dhe njerëzve pa penguar produktivitetin e lopëve.
/j.p/r.e/
