TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “ne kemi një sistem Urgjence Kombëtare që është absolutisht standard evropian”.
Në fjalën e tij në prezantimin e buxhetit 2022 për Shëndetësinë Rama foli për transformimin e Urgjencës Kombëtare Mjekësore.
“A mund të ketë një forcë imagjinate që të krahasojë Urgjencën e para disa viteve me Urgjencën e sotme? Mund të ketë sot? Ne kemi një sistem urgjence kombëtare që është absolutisht standard evropian, jo pothuajse, por është standard evropian. Sot ne marrim në kohë reale jo vetëm të gjitha shërbimet që kryhen në urgjenca, por marrim në kohë reale edhe të gjitha telefonatat që i bëhen Urgjencës. Sot nuk del dot njeri të thotë, i telefonova Urgjencës edhe nuk më erdhën. Nuk del dot, sepse po e tha emrin dhe mbiemrin shkohet në kompjuter, gjendet telefonata e tij nëse e ka bërë telefonatën dhe i tregohet po në kompjuter që i ka vajtur autoambulanca dhe i tregohet edhe në sa minuta dhe në sa sekonda ka qenë tek dera vetë. Nuk del dot të thotë. Kjo është diçka që të tjerë në shumë vende e kanë, por që për ne ishte diçka e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për fenomenin e korrupsionit, duke marrë shembullin e sanitares së Sanatoriumit që i merrte para një gruaje për t’i shërbyer nënës së saj të shtruar me COVID.
“Nuk diskutohet që “Tirja” doli nga ky mjedis. Ashtu sikundër nuk diskutohet që Tirja nuk ishte meteor që ra nga qielli siç bien meteorët njëherë në nuk e di sa qindra apo mijëra vjet. Por i takon një kategorie të caktuar që është brenda sistemit, nuk diskutohet”, tha Rama.
Por ama, shtoi kreu i qeverisë, “dy gjëra janë të sigurta. E para, që shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve nuk i përkasin asaj kategorie. Dhe e dyta, që ajo kategori do të vijë vit pas viti duke u tkurrur”.
“Ama këtu duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë qytetarët që shajnë në bllok: “Të gjithë janë njësoj”. Nuk janë të gjithë njësoj. Askund s’janë të gjithë njësoj. As drurët e një pylli me pisha nuk janë të gjithë njësoj. Në vend që të shajnë në bllok dhe në vend që të thonë pas pilafit, se unë i dhashë lekë këtij, i dhashë lekë atij, pa përmendur emra, të thonë unë nuk paguaj dhe të rrinë aty të vënë kujën dhe të sjellin aty dynjanë e tërë dhe të marrin aty dhe drejtuesit e spitalit dhe të shihni pastaj, fitojnë ata apo fiton Tirja”, theksoi Rama.
“Po nuk mund të jetë kështu, që fenomeni i ryshfetit u luftoka vetëm nga lart dhe për fenomenin e ryshfetit të Tires duhet të baltoset jo gjithë ushtria e mbrojtësve të jetës, por bashkë me ta, gjithë çfarë janë deri tek unë apo deri tek më i fundit fare, kudo që të jetë, nuk shkon”, theksoi Rama.
/r.e/
