Agjencia Telegrafike Shqiptare

KLGJ, angazhim konkret për mekanizmin e ndërmjetësimit

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, zhvilloi një takim pune me Christoph Lutmann, përfaqësues i Qendrës për Ndërmjetësim të Integruar në Berlin (Berlin Center for Integrated Mediation – CSSP).

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi mekanizmin e ndërmjetësimit, si një mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë gjykatave, që eventualisht ndikon në rritjen e eficiencës së sistemit gjyqësor.

Llagami, informoi pjesëmarrësit në takim, mbi angazhimin konkret që Këshilli ka ndërmarrë me qëllim inkurajimin e trupës gjyqësore për zbatimin e mekanizmit të ndërmjetësimit, duke e konsideruar referimin e çështjeve për ndërmjetësim si kriter avantazhues në skemën e re të vlerësimit të gjyqtarëve.

Në mbyllje të takimit, palët u dakordësuan për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjelltë në funksion të fuqizimit të mekanizmit të ndërmjetësimit përmes zbatimit të nismave të përbashkëta.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Simone Ceresa dhe Vjola Goda, përfaqësues të zyrës në Tiranë të Qendrës për Ndërmjetësim të Integruar në Berlin, Elona Fana, nga Agjencia Austriake për Zhvillim, Drita Avdyli, nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit, si dhe Rasim Gjoka, nga Fondacioni Shqiptar për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimi Mosmarrëveshjeve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version